Me daljen e Shqipërisë nga lista gri e pastrimit të parave, Ministria e Brendshme ka vendosur të krijojë një zyrë për rikuperimin e aseteve që kanë origjinë nga krimi.
Përmes një projektligji të hedhur për konsultim publik, ky institucion do të gjurmojë dhe identifikojë pasuritë që lindin nga një vepër penale ose veprimtari kriminale.
Pas identifikimit të këtyre pasurive ato mund t’i nënshtrohen ngrirjes së përkohshme, sekuestrimit ose konfiskimit nga organet kompetente.
Në këtë kategori janë përfshirë paratë jashtë sistemit bankar, letra me vlerë, depozita, pasuri të patundshme etj.
Kësaj zyre do t’i lejohet akses në llogaritë bankare me qëllim parandalimin, zbulimin, hetimin ose ndjekjen penale të veprave penale.
Sipas draftit kjo strukturë do të mund të veprojë edhe jashtë Shqipërisë, sipas marrëveshjeve që ka shteti shqiptar dhe do të ketë pavarësi operacionale.
Ajo do të jetë nën mbikëqyrjen e Policisë së Shtetit, e cila do të mund të emërojë dhe shkarkojë kreun e Zyrës.