Në fletoren Zyrtare është botuar VKM në lidhje me përcaktimin e kritereve dhe procedurave për dhënien me qira të pronës shtetërore. Sipas VKM, përzgjedhja e partneriteteve do të nis që nga procedura përmes zarfeve e deri në negocime të drejtpërdrejta.
Është botuar në Fletoren Zyrtare Vendimi i Këshillit të Ministrave për përcaktimin e kritereve dhe procedurave për dhënien me qira të pronës shtetërore.
Ky vendim ka si qëllim përcaktimin e kritereve dhe procedurave që zbaton Korporata e Investimeve Shqiptare për dhënien e pronës shtetërore me qira, enfiteozë, leasing, përdorimin e pronës për sigurimin e një kredie apo detyrimi tjetër, sipërmarrje, shitje apo përmes formash të tjera përdorimi dhe zhvillimi të pronës.
Sipas vendimit, Këshilli i Ministrave me propozim të ministrit përgjegjës për ekonominë si dhe me kërkesë të Korporatës, miraton transferimin e pronave shtetërore në pronësi apo përdorim të Korporatës.
Ndërkohë Korporata identifikon prona shtetërore me interes për të realizuar projekte investimi në rastet kur ka një kërkesë të partneriteti publik në kushtet e përmbushjes së një interesi publik të përcaktuar në vendimin e transferimit të pronës.
Sipas vendimit, korporata përdor pronat në pronësi apo përdorim të saj me partneritete publike private të zgjedhura përmes provedurës konkurruese me përzgjedhje me zarf, me përzgjedhje me pikëzim si dhe sipas procedurës së negociimit të drejtpërdrejtë etj.
Ndërkohë përzgjedhja realizohet në përputhje me interesin publik, duke respektuar parimet e transparencës, paanshmërisë, barazisë si dhe mbrojtjes së konkurrencës dhe tregut të lirë.