Të gjithë politikanët dhe drejtuesit e institucioneve të rëndësishme në vend do të jenë në “lupën” e Drejtorisë së Parandalimit të Pastrimit të Parave, bankave dhe doganave edhe 10 vite pasi të largohen apo të lënë detyrën përkatëse. Këtë e parashikon projektligji i hartuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave dhe që është konsultuar informalisht me bankat e nivelit të dytë, shoqëritë e transfertave, Shoqatën e Bankave, Bankën e Shqipërisë, Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave. Nisma në fjalë vjen në kuadër rekomandimeve që bën raporti i Moneyval për Shqipërinë, lidhur me masat ndaj parandalimit të pastrimit të parave, ndërsa tenton të forcojë edhe më tej masat kundër subjekteve që mund të kërkojnë të përdorin mekanizma të ndryshëm për pastrimin e parave të vëna apo të krijuar në mënyrë të paligjshme nëpërmjet veprimtarive kriminale apo edhe korrupsionit gjatë ushtrimit të një detyre shtetërore. Me ligjin aktual “Personat e ekspozuar politikisht” janë personat, të cilët janë të detyruar të bëjnë deklarimin e pasurive të tyre, në përputhje me ligjin nr. 9049, datë 10.4.2003 “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë”, me përjashtim të nëpunësve të nivelit të mesëm apo të ulët drejtues, sipas përcaktimeve të legjislacionit për shërbimin civil. Në këtë kategori përfshihen edhe individët, të cilët kanë pasur ose kanë funksione të rëndësishme në një qeveri dhe/ose në një shtet të huaj, si: kryetar shteti dhe/ose qeverie, politikanë të lartë, zyrtarë të lartë të qeverisë, të gjykatave ose të ushtrisë, drejtues të lartë të kompanive shtetërore, zyrtarë të rëndësishëm të partive politike”. Sipas projektiligjit të paraqitur përcaktohet se “kjo kategori individësh konsiderohen “persona të ekspozuar politikisht” deri në 10 vite pas largimit nga funksioni. Madje projektligji parashikon që sipas gjykimit të vetë subjektit, ky afat mund të shtrihet edhe përtej 10 vjetësh.

