Moderatorja Erla Mëhilli në një intervistë me Arian Çanin ka treguar detaje nga karriera e saj, që nga vitet e punës me Sali Berishën në PD dhe deri tani që drejton një emision.
Mëhilli është shprehur se me Berishën ka punuar 12 vite dhe sigurisht kanë qenë shumë të rëndësishme për karrierën e saj. Pas mbarimit të studimeve në Itali, ajo ka punuar fillimisht në një ministri, më pas zëdhënëse në PD dhe më pas kaloi në Kryeministri.
“Me Berishën kam punuar 12 vjet. Nga ministria më mori dhe më bëri zëdhënëse të Partisë Demokratike. Më pas nga PD-ja në Kryeministri. Berisha nuk është se nuk i njeh prindërit e mi. Ka qenë në të njëjtën shkollë me prindërit e mi. Motra ime Ilenja ka qenë ndër të parat që ka themeluar PD-në”, ka treguar Mëhilli.
Sa i përket raportit të sotëm me Berishën, ajo thotë se tani me të ka folur vetëm me mesazhe dhe ka theksuar se doktori nuk është i mërzitur.
“Në 2 vitet e fundit kur isha me Berishën fillova të mendoja më ftohtë se ata që ishin të përfshirë aty brenda. Doktori e dinte, se unë bëja edhe statuse që ato pastaj bëheshin lajm. Nuk më ka thënë kurrë gjë, gjithmonë e ka dëgjuar mendimin tim. Edhe tani kam folur me të me mesazhe. Jo, nuk më është dukur i mërzitur. Madje më pyet si je, si kemi qenë”, u shpreh ajo.