Kryebashkiaku në detyrë i Himarës, Jorgo Goro njihet sot me masën e sigurisë. Ai ra në prangat e policisë me urdhër të SPAK më 23 mars, pasi akuzohet se ka shpërdoruar detyrën duke tjetërsuar dy prona. Bashkë me Goron janë arrestuar edhe katër persona të tjerë, tre prej të cilëve janë lënë në “arrest shtëpie”. Goro është transferuar në bllokun e sigurisë në Tiranë, nga ku u shoqërua për t’u dërguar në gjykatë. Ndërkohë në GJKKO u paraqit ish kreu i kadastrës Vlorë Bilbil Aliaj dhe ish-juristi në këtë institucion, Vezir Gjikoka.
Kryebashkiaku në detyrë, Goro u prangos pasi po hetohet me dyshime se ka shpërdoruar detyrën në dy raste, duke tjetërsuar dy prona në Dhërmi, me një siperfaqe në total prej 10592 m2, ku përfitues fundor i truallit ka qenë biznesmeni Artan Gaçi, ish deputet i PS.
Lexo edhe :
Related Posts
Në rastin e parë, sipas SPAK, Goro bashkë me Drejtorin e Mbrojtjes dhe Menaxhimit të Tokës në Bashki, Jerasimo Bashi, kanë përcjellë tek institucione të tjera dokumente të falsifikuara për një pronë mbi 5 500 metër katrorë në Dhërmi, pa kryer verifikime, duke çuar në regjistrimin e pronës shtet në favor të privatit. Pas regjistrimit të pasurisë në emër të trashëgimtarëve, Stavri e Foto Mëhilli, është vijuar me transaksionet të cilat kanë konkluduar në regjistrimin e pronës në emër të shoqërisë private me përfaqësues Artan Gacin.
Në episodin e dytë një pronë bujqësore prej 5080 m2, Jorgo Goro në bashkëpunim me vartësin e tij, Jerasimo Bashi, e ka kthyer pronë shtet, ku më pas janë kryer transaksione. Në kufi me këtë sipërfaqe toke, sipërmarrësi privat, Artan Gaçi, ish- deputet i PS- së, i kishte blerë tokën me dokumente të falsifikuara Stavri Mëhillit. Sipërfaqja e tokës më pas është bashkuar në një të vetme dhe pas kësaj shoqëria tregtare e drejtuar prej Artan Gaçit merr leje ndërtimi për një kompleks turistik, i cili do të ndërtohet në të dyja sipërfaqet e tokës, në total (10.592 m2).