Lulzim Basha ka dalë kundër dërgimit të çështjes së mandatit të deputetes socialiste Olta Xhaçka në Gjykatën Kushtetuese. Pak minuta para se kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi të dorëzojë ankimimin e ri në kushtetuese, Basha e akuzoi se po bën lojën e Kryeministrit Edi Rama.
“Mos i bëni për budallenj shqiptarët. Ta çosh sërish në Gjykatë Kushtetuese do të thotë të bësh lojën e Edi Ramës. Ky është diversion ndaj opozitarizmit, kjo nuk është rruga, kjo është rruga për të ndihmuar Edi Ramën.
Refuzimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese nga mazhoranca e ka futur vendin në krizë kushtetuese. Duhet reagim politik, ” deklaroi Basha.
Sipas Bashës dërgimi në Gjykatën Kushtetuese nuk e zgjidh problemin, pasi sërish mazhoranca mund të refuzojë të votojë mandatin e ish-ministres së jashtme Xhaçka dhe ndërkaq mbaron edhe legjislatura. Ndaj sipas Bashës duhet reagim politik dhe aksion brenda parlamentit.
