Parlamenti ka ratifikuar marrëveshjen për njohjen reciproke të kontributeve për sigurimet shoqërore midis Italisë dhe Shqipërisë.
Janë rreth 500 mijë qytetarë shqiptarë emigrantë që jetojnë dhe punojnë në shtetin fqinj, që pritet të përfitojnë nga njohja kontributeve mes dy shteteve dhe afro 4 mijë italianë që kanë leje qëndrimi në Shqipëri, përpos atyre që kanë biznese.
Kjo marrëveshje nuk prek vetëm pensionistët, por garanton një seri përfitimesh të mbrojtjes sociale për emigrantët shqiptarë në Itali.
Pas ratifikimit në Kuvend, marrëveshja hyn në fuqi me botimin në Fletoren Zyrtare dhe më pas pritet ratifikimi nga parlamenti italian për të nisur zbatimin e saj.
Pas hyrjes në fuqi të marrëveshjes, qytetarët të cilët janë në prag pensioni mund të aplikojnë pranë Institutit të Sigurimeve Shoqërore në Itali pa qenë nevoja të vijnë në Shqipëri.
Do të jetë pikërisht ky institucion, që do të koordinojë punën me Institutin e Sigurimeve në Shqipëri, brenda afateve që do të përcaktohen.