Që kur u bë pjesë e “Big Brother”, Heidi Baçi vinte me një histori që tronditi Italinë. Historia e saj me Massimiliano Varrese bëri që të rrëmbente vëmendjen e publikut. Shkak u bë babai i saj, kur hyri në shtëpi për ta nxjerrë. Por teksa udhëtimi në Itali zgjati rreth 45 ditë, në Shqipëri Heidi shihet si një nga pretendentet për fitoren, por duket se historia e Italisë e ka përndjekur.
Shpeshherë çfarë ndodhi mes saj dhe artistit Massimiliano Varrese është bërë pjesë e shtëpisë. Gjithnjë e më shpesh, javët e fundit është folur se artisti italian do të ishte i ftuar në një përballje me Heidin, për të treguar anën e tij të historisë. Por një gjë e tillë jo vetëm që nuk ndodhi, por edhe nuk do të ndodhë. Nisur nga gjithnjë zhurma mediatike, vetë Massimiliano ka reaguar në rrjetet e tij sociale.
Artisti shprehet se ka marrë ftesë për të ardhur në Shqipëri, edhe për një përballje në “Big Brother”, por një gjë e tillë nuk do të ndodhë.
“Jam ftuar nga tri emisione, edhe nga ‘Big Brother’, por jo për një përballje. Nisur nga interesimi i madh i të gjithë juve që më keni shkruar, unë do të vij në Shqipëri por për të luajtur muzikën time, jo për përballje. Nuk mund të vij tani, por do të vij pas datës 30 maj, për të kënduar këngën time të re. Ju falënderoj shumë për të gjithë mbështetjen. Do të shkoja edhe në ‘Big Brother’, por asnjë përballje, vetëm për të kënduar. Gjej rastin për t’u uruar konkurrentëve të ‘Big Brother’ suksese për finale e tyre”, u shpreh artisti italian, duke zbuluar kështu se për të historia me Heidin ishte e mbyllur dhe nuk ka ndërmend të flas kurrë me të.
“Panorama Plus” komunikoi me menaxheren e artistit, ku kërkoi më shumë detaje nga ky zhvillim. Carmen u shpreh se Massimiliano është i përqendruar tek karriera e tij dhe nuk flet më për atë çfarë ndodhi në “Grande Fratello”.
“Massimiliano nuk do të futet më në këtë histori. Për të, ‘Grande Fratello’ ka mbaruar’ edhe historitë brenda. Tashmë ai është i angazhuar me karrierën e tij, sapo ka nxjerrë këngën e re dhe është shumë i angazhuar me karrierën artistike. I kanë shkruar shumë nga Shqipëria, ka marrë shumë dashuri prej jush, por preferon që të qëndrojë larg kësaj historie. Nuk ka folur as këtu në Itali me asnjë dhe nuk do të flasë edhe aty për çfarë ndodhi”, u shpreh menaxherja e artistit.
Heidi Baçi u bë e njohur me pjesëmarrjen e saj në “Grande Fratello” Itali, ku u pa mjaft e afërt me aktorin disa vite më të madh se ajo, Massimiliano Varrese. Pas vizitës së bujshme të babait të saj, Genti, të cilit nuk i pëlqente afërsia me aktorin, konkurrentja doli nga shtëpia, duke vazhduar më pas eksperiencën e saj në “Big Brother VIP” në Shqipëri. Së fundmi Meriton Mjekiqi e ka pyetur Heidin për deklaratën e Massimilianos se do të përplaset me konkurrenten në “BBV”. Banorja hezitoi të përgjigjet sepse tha se avokati i saj i ka thënë që mos të flasë, pasi janë gjëra ligjore.
“Problemi është që unë kam pasur përplasje, debate, zënka me të, që ka zgjatur edhe pasi dola nga shtëpia”, – tha Heidi.
“Janë probleme mes meje dhe televizionit italian. Ka të bëjë me daljen time. Dola sepse më erdhi babi, u bë kauzë”, – vazhdoi ajo, megjithëse Meritoni ishte dyshues në gjërat që po i tregonte banorja. “Kam të drejtën të mos flas”, – tha Hedi duke mos treguar më shumë, sepse sipas saj, tashmë publiku e di të vërtetën.
Pas daljes vullnetare nga “Big Brother”, shqiptarja Heidi Baci i shkroi një letër ish-banorëve, ku shpjegonte arsyet që e shtynë të largohej. Por, Massimiliano Varrese vuri re diçka të çuditshme në dorëshkrimin e saj. Sipas tij, letra nuk është shkruar me dëshirën e saj, por ai thotë se ajo ka qenë e detyruar nga dikush. “Kam vëzhguar shkrimin e dorës dhe vura re një shkrim dore të lëkundur, i detyruar që shkonte majtas dhe jo përpara, kështu që është një person që tërhiqet, për mendimin tim e ka shkruar në një moment të emocionuar ose nuk ka mundur ta shkruajë ashtu siç do të donte”, – ka thënë ai.