Kreu i SPAK, Altin Dumani tha se prokurorët duhet të bëjnë një “vesh shurdh” ndaj presioneve. Duke raportuar në Komisionin e Ligjeve, Dumani theksoi se janë të vëmendshëm edhe ndaj prokurorëve apo gjyqtarëve që kanë kaluar vettingun, pasi s’do të thotë se mund të jenë të paprekshëm nga korrupsioni.
“A ndihemi të influencuar nga lufta politike apo mediatike? Unë e thashë që prokurorët e SPAK duhet t’i bëjnë veshët shurdh nga çdo lloj sulmi apo presioni mediatik apo politik sepse në ndihmë na vjen pavarësia. Sa kohë kemi të garantuar këtë pavarësi ligjore dhe kushtetuese, ne nuk duhet të influencohemi fare dhe të përmbushim detyrimet tona ligjore dhe kushtetuese. Marrëdhënia jonë me politikën është thjesht institucionale dhe procedurale.
Lexo edhe :
Related Posts
Sa i takon luftës kundër korrupsionit në sistemin e drejtësisë, sa i përkon prokurorëve apo gjyqtarëve të shkarkuar, e përmenda edhe më parë, ne juridiksionin e kemi të kufizuar, të çosh për gjykim 4 gjyqtarë, ndër të cilët dy të gjykatës së lartë dhe dy të kushtetueses, nuk janë pak në vlerësimin tonë. Për gjyqtarët e shkallës së parë dhe të apelit, thashë që ne edhe nga ato vendime, kemi regjistruar duke marrë indicie nga vendimet e KPK-së, ku kemi nuhatur që mund të kemi edhe një vepër penale me natyrë korruptive. Nuk është përgjegjësi vetëm e SPAK që të hetojmë këtë kategori subjektesh.
Jam më shumë i shqetësuar me ata që e kanë kaluar vettingun dhe vazhdojnë në sistem që mund të ndeshemi para personave me natyrë korruptive. Ky është shqetësimi më i madh dhe këtu jemi të vëmendshëm edhe nga mediat, shoqëria civile dhe politika kur ka denoncime. Ne përpiqemi të mbajmë shënime, bëjmë vlerësimet tona paraprake. Edhe vjet arrestuam një prokuror në detyrë, proceduam një gjyqtare në detyrë dhe ish gjyqtarë dhe ish prokurorë. I kemi në vëmendje dhe jemi të fokusuar. Të pranojmë që kaluam vettingun dhe nuk do të korruptohen gjyqtarë dhe prokurorë është etopi. Jemi të ekspozuar.
Ne si institucion vazhdojmë të jemi të vëmendshëm. Do të vijmë edhe me raste konkrete. Edhe sa i takon brenda SPAK, jemi të vëmendshëm. Ne kemi dhe një proces vettingu që funksionon brenda institucionit. Janë vetuar 60 veta vitin e kaluar, nga këta 1 është larguar. Kemi 9 të dorëhequr. Jemi me këmbanë alarmi edhe brenda vetes SPAK.”, tha Dumani.