Sulmuesi Sokol Cikalleshi ka vendosur që të largohet përfundimisht nga Kombëtarja, pasi nuk arriti që të merrte një ftesë për në Europian. Bomberi kavajas është shprehur që i ka ardhur fundi rrugëtimit të tij me kuqezinjtë, edhe pse jo ashtu siç e priste. Në fund nuk mungon dhe një urim për shokët në Kampionatin Europian.
“Fundi i një rrugëtimi. Rrugëtimet janë të bukura, me uljet e ngritjet e veta. Gjatë rrugëtimeve, nëse gjërat i ke bërë siç duhet, fundit është i lumtur, paçka se jo gjithmonë e zgjedhim vetë. Ka qenë një krenari dhe emocion i papërshkrueshëm përfaqësimi i fanellës së ekipit kombëtar të futbollit. Bartja e emocioneve të një kombi mbi shpinë, është sa privilegj ashtu edhe përgjegjësi, e cila më ka bërë të përulur dhe mirënjohës ndaj çdokujt që besoi, ndaj çdokujt që më dha kurajo për të vazhduar, e padyshim në mënyrë të veçantë çdo kujt që brohoriti për mua. Ashtu siç, çdo fillim e ka një fund, edhe rrugëtimit tim me ekipin kombëtar të futbollit i erdhi fundi! Ndihem i lumtur për çka bëra gjatë këtij rrugëtimi, ku dhashë pa kursimin më të vogël pikën e fundit të djersës dhe shpirtin për të bërë më të mirën e mundshme”.
Si një futbollist e njeri i madh, Cikalleshi ka mbyllur edhe këtë postim duke i uruar suksese Kombëtares në Euro 2024. “Falenderoj Zotin për gjithçka më ka dhënë në jetë, familjen për mbështetjen, tifozët Kuq e Zi që meritojnë shumë më shumë sesa ne kemi dhënë në fushën e blertë. Lutem Zotit që shokët që do vijojnë rrugëtimin në Euro2024 të kenë sukses dhe të bëjnë një paraqitje dinjitoze”, shkruan Cikalleshi.