Policia e Shtetit ka vënë në pranga mbrëmjen e sotme 59-vjeçarin e shumëkërkuar, Pjetër Pacani.
Ai ka qenë në arrati, teksa është dënuar në mungesë me 25 vite burg për akuzën e vrasjes së shtetasve Ndoc Zymaj dhe Vlash Gjeçi, ngjarje e ndodhur në vitin 2011. Mësohet po ashtu se 59-vjeçari është pjesë e listës “Top 50- më të kërkuarve” në shkallë vendi.
Ngjarja ka ndodhur në datën 18 janar 2011, pranë një karburanti në autostradën Lezhë-Tiranë. Shkak i këtij krimi të dyfishtë ka qenë një kontratë huamarrje mbi 100 mijë euro, e cila nuk është kthyer sipas kohës së parashikuar në kontratë. Si pasojë e kësaj ka lindur një konflikt, ku palët janë konfliktuar nëpërmjet mesazheve telefonike dhe bisedave, duke ofenduar njëri-tjetrin.
Për pasojë Pjetër Paçani, ka marrë një pistoletë dhe ka shkuar në një lokal të quajtur “Exen” në autostradë, ku pinin kafe shtetasin Vlash Gjeçi dhe Ndoc Zymaj.
Sapo ka hyrë në lokal, Paçani ka nxjerrë armën dhe ka pohuar “…mos lëvizni…” dhe ka qëlluar disa herë në distancë të afërt në drejtim të viktimave dhe duke shqiptuar fjalët” “…më shani përsëri me nënë e motër…”. Pas kësaj teksa ka dalë nga lokali, i është drejtuar shtetasit Arben Gjokola “…ti mos lëviz…” dhe ka hipur në automjetin tip “Porsche” dhe është larguar pa u arrestuar ende dhe sot nga Policia e Shtetit. Ndërkohë njëri nga viktimat Vlash Gjeçi, teksa ishte ende gjallë ka shqiptuar fjalët “…na preu në besë…”, fakt i cili është shprehur në gjykatë dhe nga dëshmitari Gjokola.