GJERMANI – Trajneri Murat Yakin po merr vlerësime, për mënyrën se si po drejton Zvicrën në Euro 2024, tashmë në çerekfinale, pasi eliminoi Italinë të shtunën pas fitores prej 2-0. Më herët, ai ishte shprehur se do ta mposhtet Italinë, nëse Azzurrët do të luanin me katër mbrojtës.
“Kemi pasur përkrahje në çdo stadium që nga dita e parë. Kam pritur çdo gjë, por e kam ditur se do ta shkatërronim Italinë nëse ata do të luanin me katër lojtarë në vijën e fundit. Ky sistem mundëson shumë gjëra. I kemi lejuar të vrapojnë dhe kemi shfrytëzuar hapësirat e lira. Kemi luajtur me kurajo dhe futboll sulmues”,- ka thënë Yakin.
Trajneri Yakin është ndalur dhe ka veçuar kapitenin Granit Xhaka për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në skuadër.
“Granit është shembull i një lideri të vërtetë. Ai po udhëheq skuadrën si kapiten dhe gjithnjë i përfshin të gjithë, duke llogaritur edhe rezervat. Është mirë që po flasim vetëm për futboll. Çdo gjë po shkon mirë për momentin”,– deklaroi Yakin.
Në prag të çerekfinaleve, Zvicra duket e përgatitur dhe e motivuar. Strategjia e Yakin, që përfshin një sistem të shfrytëzuar mirë dhe një lojë sulmuese, ka sjellë rezultate të dukshme. Me përkrahjen e fortë nga tifozët dhe liderin e ekipit, Granit Xhaka, në formë të shkëlqyer, Zvicra ka arsye të jetë optimiste për vazhdimin e suksesit në turne.
Rivali i tyre i ardhshëm, për në ndeshjet çerekfinale të Euro 2024 do të jetë ekipi fitues i çiftit të sotëm Angli – Sllovaki.