Nëpërmjet një njoftimi për media ambasada e Shteteve të bashkuara të Amerikës ka bërë me dije se personat që janë të përfshirë në rastet e mëdha të korrupsionit nuk do të mund të marrin viza për të udhëtuar në Amerikë. Ambasada ka përmendur me emër rastet Pronto, rastin e vizave italiane, ikjen nga burgu i Dubravës, rastin Toka, dhe Apex, si dhe në raste të tjera të ngjashme.
Ambasada amerikane në Prishtinë thotë se qytetarët e Kosovës meritojnë një sistem drejtësie që mbanë individët përgjegjës për veprimet e tyre korruptuese.
Ambasada amerikane po ashtu bën të ditur se është praktikë e zyrtarëve konsullorë që të shqyrtojnë faktet për çdo aplikim për vizë, duke përfshirë edhe çdo informatë negative lidhur me aplikuesin, dhe që të përcaktojnë përshtatshmërinë për marrje të vizës në bazë të ligjeve të SHBA-ve. Sipas nevojës, ne vazhdimisht i peshojmë akuzat dhe dëshmitë për korrupsionin dhe krimin e organizuar gjatë vendimmarrjes për viza, në mënyrë që t’i kufizojmë ata që kontribuojnë në këto probleme nga marrja e vizave për udhëtim në Shtetet e Bashkuara.
