Mbreti i Tajlandës ka miratuar zyrtarisht Paetongtarn Shinawatra, një pasardhës i dinastisë politike më të famshme dhe përçarëse të vendit, për t’u bërë kryeministrja më e re e vendit.
Emërimi i saj pason një sërë kthesash në politikën tajlandeze gjatë javës së kaluar, gjatë së cilës Gjykata Kushtetuese rrëzoi nga posti Srettha Thavisin, paraardhësin e saj nga e njëjta parti Pheu Thai.
Kryeministrja më e re e vendit, 37-vjeçarja Paetongtarn është vajza e ish-kryeministrit Thaksin Shinawatra.
Ajo është gruaja e dytë kryeministre e Tajlandës, pas hallës së saj dhe motrës së Thaksin-it, Yingluck Shinawatra.
Të dielën, miratimi i mbretit Maha Vajiralongkorn iu lexua asaj nga sekretari i Dhomës së Përfaqësuesve në selinë e Pheu Thai në kryeqytetin Bangkok.
Paetongtarn u ul në gjunjë dhe bëri homazhe para portretit të mbretit, përpara se të mbante një fjalim të shkurtër duke e falënderuar atë.
“Ky është nderi dhe krenaria më e lartë në jetën time,” tha ajo pas miratimit. “Unë, familja ime dhe partia Pheu Thai e vlerësojmë shumë mirësinë e Madhërisë së Tij. Jam e vendosur të kryej detyrat e mia me besnikëri dhe ndershmëri për të mirën e kombit dhe popullit.”
Ajo pritet të emërojë kabinetin e saj prej 35 anëtarësh dhe do të udhëheqë ministrat në betimin para mbretit.
E pyetur nga gazetarët nëse emërimi i saj do të shihej si rikthim i një dinastie, Paetongtarn tha se nuk do të ndikohej nga të tjerët. Gjithashtu shtoi se mund t’i kërkojë këshilla babait të saj, por theksoi se ka idetë e veta, duke shtuar se Thaksin nuk do të marrë asnjë rol në administratë.
Ajo u zotua të vendosë në radhë të parë problemet që prekin kombin, duke u zotuar të bashkëpunojë me të gjitha palët.
“Askush nuk dëshiron të përsërisë atë që ndodhi me babain tim dhe hallën time,” tha Paetongtarn.
Politikat ekonomike dhe populiste të Thaksin-it i mundësuan atij të ndërtonte një makinë politike që ka dominuar vendin për dy dekadat e fundit, pavarësisht përmbysjes së tij në një grusht shteti të vitit 2006.
Por partitë aleate me miliarderin e telekomunikacionit, dhe ish-pronar i klubit të futbollit Manchester City, kanë luftuar për të mbajtur pushtetin, pasi janë detyruar të largohen në të kaluarën për shkak të grushteve të shtetit ose vendimeve gjyqësore.