Pas ndryshime qeveritare, tashmë radha për të përjetuar ankthin e vendimeve të kryesocialistit Edi Rama ka kaluar tek anëtarët e kupolës drejtues të partisë. PS do të nisë punën për zgjedhjet parlamentare të 2025, ndaj përzgjedhja e njerëzve që do të marrin përsipër drejtimin e fushatave në terren, bashkë me përpilimin e ekipeve dhe kandidatëve, merr më shumë rëndësi në kontekstin e përballjes me kundërshtarin politik.
Para se Rama të japë verdiktin për bashkëpunëtorët e tij të ngushtë në selinë rozë, Kryeministri do të zhvillojë më parë analizën e kabinetit qeveritar për çdo dikaster të dielën e 1 shtatorit në vilën qeveritare në Dajt.
Socialistët janë të detyruar të ndryshojnë formatin e analizës së tyre, duke e kthyer në një takim vetëm 1 ditor që nis në orën 9 të mëngjesit për të përfunduar në orët e para të mbrëmjes, me një pjesëmarrje më të ngushtë, kryesisht të kabinetit qeveritar, por pa përjashtuar përfaqësuesit e rëndësishëm politik të PS si në parti ashtu edhe në Parlament.
Pasi Rama të përfundojë retreat dhe të mbyllë të gjitha çështjet e hapura në parti, Kryeministri do të udhëtojë drejt SHBA, për të marrë pjesë në Asamblenë e Kombeve të Bashkuara, pasi këtë vit në radhë është shefi i qeverisë, jo Presidenti i Republikës.
