Në nisje të Asamblesë Kombëtare të PS, kryeministri Edi Rama deklaroi se partia tashmë do të nisë përgatitjet për zgjedhjet e reja që do të mbahen në pranverën e vitit të ardhshëm. Deputetët me më shumë se një mandat do të jenë në garë të hapur, teksa të rinjtë do të jenë pjesë e listës së mbyllur.
“Sot hapim një kapitull të ri të kësaj partie. Nisemi drejt përballjes për një mandat të katërt të PS, pranverën e ardhshme. Për 6 muaj duhet të jetë gati skuadra e re përfaqësuese për Shqipërinë 2030.
Deputetët me më shumë se një mandat, pa përjashtuar dhe drejtuesit e qarqeve, të jenë në garë të hapur si të gjithë të tjerë. Në listën e mbyllur do të jenë pak prej tyre me detyra specifike. Pjesa kryesore e listës së mbyllur do të jenë deputetë me vetëm me një mandat dhe të rinj dhe të reja që do të jenë në këtë listë”, tha Rama.