Mbyllja e Nations League ka përcaktuar edhe ndarjen zyrtare të skuadrave europiane, në vazot e shortit të Botërorit 2026 që do të zhvillohet në SHBA, Meksikë dhe Kanada. Pas dështimit në Grupin B1, ku Shqipëria u pozicionua në vendin e fundit dhe ra në Ligën C, Kombëtarja mbetet në vazon e tretë. Kjo bën që kuqezinjtë të kenë të paktën dy skuadra më të forta si kundërshtarë në kualifikueset e Kupës së Botës.
Në vazon e parë, si koka serie janë të gjithë emrat më të mëdhenj të kontinentit, nga Franca, Spanja, Portugalia, Anglia, Holanda e Belgjika, për të vijuar me Italinë, Gjermaninë, Kroacinë, Zvicrën por edhe Danimarkën dhe Austrinë.
Në vazon e dytë, mes rivalëve të mundshëm janë Ukraina dhe Çekia, dy prej ekipeve me të cilët Shqipëria luajti në Nations League, por edhe kundërshtarë historikë si Serbia dhe Greqia. Mes emrave të frikshëm aty janë Turqia, Suedia apo Polonia e Norvegjia.
Kosova në anën tjetër, ndodhet në vazon e katërt, përkrah ekipeve si Bullgaria e Bjellorusia, ndërsa vazo e pestë, e përbërë nga vetëm gjashtë skuadra, kryesohet nga Moldavia dhe ka emra modestë si Malta, Andorra apo San Marino.
Shorti i kualifikueseve të Botërorit 2026 do të hidhet në mesditën e 13 dhjetorit në Zyrih. 54 përfaqësueset europiane do të ndahen në 12grupe, ku 6 do të kenë nga pesë skuadra dhe 6 të tjerë nga 4 ekipe.
Fitueset e secilit prej 12 grupeve do të kualifikohen direkt në Kupën e Botës, ndërsa 4 biletat e tjera do të përcaktohet ndërmjet sfidave të playoff-it me sistem vajtje-ardhje ndërmjet 12 ekipeve të vendeve të dyta, të cilave u shtohen 4 ekipet më të mira fituese të Nations League.