Gjykata e Posaçme ka lënë në arrest shtëpie Rexhë Byberin. Kryebashkiaku i Tropojës iu drejtua Gjykatës me një kërkesë për ndryshimin e masës së sigurisë. Por Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtare Etleva Deda, ka vendosur këtë të premte rrëzimin e kërkesës së Byberit.
Kryebashkiaku socialist ndodhet prej muajit shtator 2024 në arrest shtëpie për shpërdorim të 2,8 mln euro. Ai akuzohet për “Shpërdorim detyre”, “Prerje të paligjshme të pyjeve” dhe “Shkatërrim të pronës”, duke i shkaktuar shtetit një dëm prej rreth 3 miliardë lekë.
Njoftimi i GJKKO
Kërkuesi Rexhe Byberi me datë 14.11.2024 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Zëvendësimin e masës së sigurimit personal “Arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i Kodit të Procedurës Penale, caktuar me Vendimin nr. 112, datë 06.09.2024, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me një masë më të lehtë”.
- Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtare Etleva Deda, bazuar në nenet 246 pika 6 dhe 260 të K.Pr.Penale, me vendimin Nr. 654, datë 13.12.2024, vendosi:
- Rrëzimin e kërkesës së kërkuesit/personit nën hetim Rexhe Byberi, me objekt: “Zëvendësimin e masës së sigurimit personal “Arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i Kodit të Procedurës Penale, caktuar ndaj tij me Vendimin nr. 112, datë 06.09.2024, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me një masë sigurimi më të lehtë.”, si të pambështetur në ligj dhe prova.
- Shpenzimet gjyqësore i ngarkohen kërkuesit.
- Kundër këtij vendimi lejohet ankim brenda afatit ligjor në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Tiranë, më datë 13.12.2024
Disa ditë më parë PD akuzoi Byberin se kishte thyer masën e arrestit shtëpiak. Genta Vangjeli, zëdhënësja e antikorrupsionit në PD pretendoi gjatë një konference për shtyp se “Byberi, më 6 Dhjetor është paraqitur në zyrën e tij për të bërë takim me administratën e Bashkisë”.