Gjykata e Lartë dukej e prirur të mbështeste një ligj që do të detyronte shitjen ose do të ndalonte aplikacionin e videove të shkurtra TikTok në Shtetet e Bashkuara duke nisur nga 19 janari, ndërsa gjykatësit u përqendruan në shqetësimet mbi një kërcënim të mundshëm të sigurisë kombëtare.
Platforma sociale thotë se ligji shkel Amendamentin e Parë dhe duhet të hedhet poshtë.
Kompania ByteDance, e cila ka në pronësi TikTokun, e ka qendrën në Kinë dhe qeveria e Shteteve të Bashkuara thotë se kjo paraqet një kërcënim të mundshëm të sigurisë kombëtare. Zyrtarët amerikanë thonë se autoritetet kineze mund ta detyrojnë TikTokun t’i dorëzojë asaj të dhëna të ndjeshme të një numri shumë të madh të amerikanëve që e përdorin këtë platformë apo mund të ndikojë në shpërndarjen e informacionit në këtë platformë.
Një gjykatë e apelit la në fuqi ligjin, i cili ndalon TikTokun nëse nuk shitet.
Ligji hyn në fuqi më 19 janar, një ditë para fillimit të mandatit të Presidentit të zgjedhur Donald Trump, i cili ka 14.7 milionë ndjekës në këtë platformë. Udhëheqësi republikan thotë se ai dëshiron “ta shpëtojë TikTokun”.
Gjatë seancës ku u dëgjuan argumentet, e cila zgjati rreth 2 orë e gjysmë, nëntë anëtarët e Gjykatës së Lartë pyetën avokatët që përfaqësonin platformën TikTok, kompaninë kineze ByteDance, që e ka në pronësi TikTokun dhe përdoruesit e aplikacionit në lidhje me rrezikun që qeveria e Kinës të shfrytëzojë platformën për të spiunuar amerikanët dhe për të kryer operacione të fshehta ndikimi, ndërsa shqyrtuan gjithashte edhe shqetësimet lidhur me lirinë e fjalës.
Disa gjyqtarë ngritën shqetësime për ndikimin e ligjit në lirinë e fjalës, por shqetësimi i tyre dukej i përqendruar tek ndërlikimet lidhur me sigurinë kombëtare, në kushtet kur një platforme e mediave sociale me pronarë të huaj mbledh të dhëna nga 170 milionë përdorues amerikanë, rreth gjysma e popullsisë së Shteteve të Bashkuara.