Zgjidhja e parë për fëmijët që mbeten pa kujdes prindëror nuk do të jetë më vendosja në institucione, por kujdesi në familje të posaçme kujdestare.
Me miratimin e paketës prej katër akteve nënligjore nga Këshilli i Ministrave, parashikohet krijimi i rreth 200 familjeve kujdestare profesionale në të gjithë vendin. Këto familje do të mbështeten përmes një pagese mujore, ndërsa për fëmijët do të ketë edhe mbështetje financiare të dedikuar për nevojat e tyre.
Gjatë një vizite në qendrën speciale për fëmijët e moshës 4-14 vjeç, ministrja e Shëndetësisë, Klodiana Spahiu, theksoi se procesi do të shoqërohet me trajnim dhe monitorim të vazhdueshëm të familjeve kujdestare.
“Do të jetë në fokusin tonë që të trajnohet familja, sepse një familje padyshim mund të pranojë që ta marrë, por që ta marrë fëmijën ne duhet të jemi të sigurt që ato janë të trajnuara, që fëmija ndihet mirë, në varësi edhe të individualitetit që mund të ketë një fëmijë. E dyta, ato do të kontrollohen, do të monitorohen, pra do të monitorohet si familja që është trajnuar dhe e pranon fëmijën. Padyshim do të ketë një pagesë për fëmijën, por edhe për familjen, edhe për kohën që fëmija shkon në shkollë”, tha ministrja.
Sipas paketës së miratuar, familjet kujdestare do të përfitojnë një pagesë mujore, ndërsa për mbulimin e nevojave të fëmijës parashikohet një mbështetje shtesë prej 12 mijë lekësh në muaj.
Po ashtu, do të jepen 35 mijë lekë në vit për shpenzimet shkollore dhe nevoja të tjera që lidhen me mirërritjen dhe zhvillimin e fëmijës.
Një tjetër masë e parashikuar është krijimi i një regjistri elektronik kombëtar, ku do të administrohen të dhënat për fëmijët që përfitojnë kujdes alternativ, si dhe për familjet kujdestare.
Sistemi synon gjithashtu të ruajë lidhjet e fëmijës me familjen biologjike, duke bërë të mundur që kujdesi alternativ të shoqërohet me ndjekje dhe monitorim gjatë gjithë periudhës së qëndrimit në familjen kujdestare.
