Punonjësit e Ujësjellës-Kanalizime Kavajë (UKKA) ankohen duke thënë se marrin paga qesharake, deri në 35,000 lekë të rinj në muaj, ndërkohë që kolegët e tyre në Durrës (UKD) marrin deri në 70,000 lekë. Kjo ka shkaktuar pakënaqësi, pasi premtimet e qeverisë për rritjen e pagës minimale nuk po reflektohen në praktikat e institucionit. Kërkesa për rishikimin e pagave është lënë pa përgjigje. Sindikata e krijuar ka dhënë premtime të vazhdueshme për rritje, fillimisht në dhjetor dhe tani në janar 2025, por deri tani nuk ka asnjë ndryshim konkret.
Mesazhi i qytetarit:
“Unë që po ju shkruaj jam një specialist prej 10 vitesh në Ujësjellës-Kanalizime Kavajë, institucion në varësi të Ujësjellës-Kanalizime Durrës (UKD). Po ju drejtohem me shpresën që shqetësimi ynë të marrë zgjidhje.
Ne kemi një pagë qesharake prej vetëm 35,000 lekësh të rinj në muaj. Kryeministri deklaron në çdo televizion se paga minimale është 45,000 lekë, por ne ende paguhemi shumë më pak. Kemi bërë ankesa disa herë pranë UKD-së, madje kemi dorëzuar edhe një peticion me firmat e të gjithë punonjësve për rishikimin e pagës, por deri më tani asgjë nuk ka ndryshuar.
Para disa muajsh, kemi firmosur për krijimin e sindikatës. Sindikata është themeluar në UKD Durrës dhe kemi pasur takime me përfaqësuesit e saj, por ata na kanë mashtruar vazhdimisht duke na premtuar rritje rrogash – fillimisht në dhjetor, pastaj në janar 2025.
Ndërkohë, pagat në UKD Durrës janë shumë më të larta se ato që marrim ne. Për shembull, një specialist në UKD paguhet 70,000 lekë, ndërsa një specialist në Kavajë vetëm 45,000 lekë.
Po ju shkruaj në mënyrë anonime për arsye sigurie, sepse këtu të largojnë nga puna për një denoncim të tillë. Shpresoj shumë që ta publikoni këtë shqetësim nga ana jonë, me qëllim që të gjejmë një zgjidhje.”