Ka qenë një ndeshje e tensionuar në Laç. Megjithëse forca të shumta policie kanë qenë të pranishme në Kurbin, nuk kanë munguar incidentet.
Ai më i rëndi ka qenë kur është goditur arbitri i ndeshjes Enea Jorgji me shishe uji, në momentin kur ishte duke dalë nga fusha. Forcat e rendit kanë ndërhyrë menjëherë dhe kanë shoqëruar në komisariat personin që ka goditur anësorin nga tribuna.
START I TENSIONUAR
Qysh kur ka mbërritur autobusi i skuadrës së Tiranës rreth orës 15:00, tifozë të ndryshëm kanë nisur të shajnë miqtë ende pa zbritur nga stadiumi. Ndërkohë, pasi kishte filluar ndeshja, ka pasur incidente edhe në tribunën VIP. Fillimisht ka rënë në sy prezenca e të dy presidentëve, Refik Halili dhe Pashk Laska.
Ky i fundit i ka dhënë dorën Halilit kur ka mbërritur në tribunë. Kjo duket se dha sinjalet se gjithçka do të kalonte pa nervozizëm të tepruar, por pas golit të dytë të Tiranës të shënuar nga Kobina, ka pasur përplasje fizike në tribunën qendrore. Refik Halili ka qenë i shoqëruar nga disa persona të tjerë, mes tyre edhe vendës që ishin miq të Halilit.
Pas golit të dytë të Tiranës, njëri prej atyre që shoqëronte Halilin ka festuar me gëzim, por kjo ka ngjallur reagimin e tifozëve të Laçit.
