”Paqja qoftë me të gjithë ju”, nisi mesazhin e tij të parë si kreu i Kishës Katolike, Papa Leo XIV. ”Do të doja të ofroja një përshëndetje paqeje për të arritur familjet tuaja, të gjithë ju, kudo që të jeni. Paqja qoftë me ju.
Njerëzimi ka nevojë për Krishtin si një urë që Zoti dhe dashuria e tij ta arrijnë. Na ndihmoni dhe ndihmoni njëri-tjetrin, ndërtoni ura”,-tha Papa.
Robert Francis Prevost lindi më 14 shtator 1955 në Chicago, SHBA. Ai është pjesëtar i Urdhrit të Shën Agustinit dhe ka shërbyer për shumë vite si misionar në Peru. Më vonë, ai drejtoi dioqezën e Chiclayo-s dhe u njoh për angazhimin e tij në ndërtimin e komuniteteve të varfra dhe në edukimin e klerikëve të rinj.
Në vitin 2023, Papa Françesku e emëroi Prefekt të Dikasterit për Ipeshkvijtë në Vatikan, një nga postet më të rëndësishme në strukturën e Kishës. Papa i ri shihet si një figurë që mund të vazhdojë frymën e Papa Françeskut, por edhe të sjellë më shumë transparencë, përfshirje dhe dialog ndërfetar.
