Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar në mbledhjen e djeshme përbërjen e fletës së votimit për disa bashki të vendit.
Ndryshe nga e kaluara për shkak të bojkotit të opozitës, më 30 qershor në pjesën më të madhe të bashkive garojnë të vetëm kandidatë të Aleancës për Shqipërinë Europiane (ASHE), që kryesohet nga Partia Socialiste dhe në një pjesë të vogël të tyre kandidatë nga Bindja Demokratike.
Kështu, për Bashkinë e Tiranës numri një në fletën e votimit do të jetë Arben Skënderi i BD-së e ndërsa numrin dy do ta mbajë kryebashkiaku aktual, Erion Veliaj. Në Bashkinë e Durrësit, Valbona Sakollari e BD-së do të jetë e para dhe Valbona Sako e PS-së do të jetë numri 2 në fletë. Një tjetër bashki ku në garë do të jenë dy kandidatë është ajo e Korçës, ku sërish kandidati i Bindjes Demokratike, Leonard Olli, do të jetë i pari në fletë, ndërsa Sotiraq Filo i PS-së i dyti.
Sa i përket Vlorës, kryebashkiaku aktual Dritan Leli do të ketë numrin 1, ndërsa Valbona Mezini e Bindjes Demokratike do të ketë numrin 2 në fletën e votimi. Sipas axhendës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, përbërja e fletës së votimit u miratua për vetëm 8 bashki.
Sipas kësaj vendimmarrjeje, bashkitë e tjera do të kenë vetëm një kandidat në fletën e votimit. Konkretisht, në Bashkitë Fier, Lushnjë, Elbasan, Shkodër, PS nuk ka një konkurrent. Armando Subashi i Fierit, Fatos Tushe i Lushnjës, Valdrin Pjetri i Shkodrës dhe Gledjan Llatja i Elbasanit nuk kanë një kundërshtar përballë në zgjedhjet e 30 qershorit.
