Policia greke ka identifikuar autorin e dyshuar të vrasjes së 41-vjeçarit shqiptar Altin Arapaj, i cili u ekzekutua në zonën e Rafinës, në periferi të Athinës.
Sipas burimeve nga hetimet, autori i dyshuar është Mikel Selimaj, 46 vjeç, me origjinë nga Vlora, i njohur për precedentë penalë të mëparshëm për veprimtari të lidhura me drogën.
Detaje tronditëse janë zbuluar nga dëshmia e bashkëshortes së viktimës.
Pavarësisht se ishte plagosur rëndë nga arma e zjarrit, Altin Arapaj arriti të telefonojë gruan e tij dhe t’i tregojë emrin e autorit: Mikel Selimaj.
Trupi i pajetë i Altin Arapajt u gjet pak më vonë nga autoritetet në një vresht në Rafina, me një plagë fatale në faqe.
Edhe viktima, ashtu si autori i dyshuar thuhet se janë me origjinë nga Vlora ndërsa kishin precedentë penalë në Greqi për vepra të ndryshme penale.
Autoritetet greke kanë nisur një operacion të gjerë policor për kapjen e Selimajt, i cili aktualisht është në arrati.
Hetimet po vazhdojnë në bashkëpunim me prokurorinë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
