Është ndarë sot nga jeta në moshën 81-vjeçare regjisori, aktori dhe skenaristi i njohur shqiptar, Leka Bungo. Regjisori do të përcillet për në banesën e fundit këtë të mërkurë (11 qershor), në orën 16:00, dhe do të prehet në varrezat e Sharrës.
Lajmin e hidhur e kanë bërë të ditur familjarët në rrjetet sociale. Njëra nga vajzat e tij, Alba teksa ka shpërndarë një foto krah të atit, shprehet se ai luftoi me sëmundjen më të rëndë të shekullit.
“Sot më duhet të bëj gjëne më të rëndë të jetës time. Të të them ty mirupafshim përjetësisht. E kujt? Atij që desha më shumë në dynja, atij që më mësoi çdo gjë, atij që më falte çdo gjë, atij që i besoja çdo gjë. I shtrenjti im që jetove aq bukur me aq dinjitet, kot nuk të thërrisja mbret. Luftove me sëmundjen më të rëndë të shekullit dhe humbe! U prehsh në paqe dhe faleminderit që ishe babai im. Krenare gjithmonë pafundësisht për ty, mirënjohëse përulësisht për çdo gjë që më mësove dhe dhurove. Ishe dhe do jesh dashuria më e madhe në dynja. Njerëzit e mëdhenj jetojnë ashtu siç jetove ti! E deshe dhe e respektove jetën ashtu siç vetëm ti dije. Lamtumirë deri sa të takohemi siç vetëm ne të dy dinim. Ah sa të dua i vogli im! U prehsh në paqe bashkë me engjëjt, engjëlli im”, shkroi Alba Bungo në një postim në Instagram.
Leka Bungo lindi më 28 shkurt 1944 në Vlorë dhe ishte një nga emrat më të spikatur të artit shqiptar, me kontribute të rëndësishme në teatër, film dhe televizion. Ai kreu shkollën e lartë për aktorë “Aleksandër Moisiu” dhe më vonë një kurs njëvjeçar për regji në Institutin e Lartë të Arteve.
