Deputetët e Partisë Socialiste u përfshinë dje në debate përsa u përket dënimeve me burg për personat që marrin pjesë në lojërat e fatit. Ditën e djeshme, në Komisionin e Sigurisë Kombëtare u shqyrtua nen për nen projektligji, i cili amendon disa nene të Kodit Penal, ku pjesë e tij ishin edhe dënimet me burg për organizatorët dhe pjesëmarrësit në lojërat e paligjshme të fatit. Deputeti socialist, Paulin Sterkaj, theksoi nga diskutimin e tij se nuk duhet të vendosen masa të ashpra me dënime me burg për pjesëmarrësit, pasi është një dënim shumë drastik. Ai ngriti edhe dyshime për mënyrën sesi është përpiluar ligji, duke theksuar se burgu nuk duhet të jetë filozofi, por dënime alternative si gjoba. Por diskutimet e tij nuk gjetën mbështetjen e kolegëve të tjerë dhe për rrjedhojë, ai votoi kundër nismës së propozuar nga një grup deputetësh.
Felaj: Dënimi duhet të përshkallëzohet. Nëse në paragrafët e dytë, të tretë apo të katërt flasim për një rrethanë të rënduar, rrjedhimisht duhet të vijë duke u rënduar. Përgjithësisht, si mekanizëm, duhet të vijë duke u rënduar, jo duke u bërë më i butë.
Braho: Dakord jam me këtë nen, vetëm më bën përshtypje një gjë. E para, parimisht, ne duhet të vendosim dënime me gjobë. E dyta, dënimin me gjobë ne e kemi Iënë relative, nuk kemi parashikuar se sa është kjo gjobë dhe si varion kjo gjobë. Madje, po ta shohësh me kujdes, të tëra propozimet që parashikojnë dënimet me gjobë, nuk kanë masën e gjobës. Kështu që duhet të jemi të kujdesshëm nëse do të biem dakord të caktojmë masën e gjobës, se pastaj ia fut Gjykata si t’ i dojë qejfi.
Felaj: Në këtë dispozitë të propozuar nuk ka asnjë paragraf ku është parashikuar dënimi me gjobë. Vetëm e fundit, ku është minimumi i gjobës.
Braho: Sa është minimumi i gjobës?
Sterkaj: Ore, unë e shoh që ne e kemi qejf shumë burgun dhe duam të prodhojmë burgje përditë në Shqipëri.
Shameti: Jo, po frika ruan vreshtin…
Sterkaj: Pse nuk parashikohen në çdo nen edhe dënimet alternative. Vetëm burgu qenka praktikë këtu në Shqipëri. Apo shtet i pasur shumë ne dhe kemi mundësi që t’i mbajmë në burgje me taksapaguesit shqiptarë. Por kemi punë që t’i mbajmë me dënime alternative si punë sociale. Njeriu nuk riparohet vetëm nga burgu. Riparohet edhe me masa të tjera penale. Pse duhet të jemi kaq të ashpër ne në Kodin Penal? Kemi mundësi që të gjejmë dënime al¬ternative, janë praktikë europiane. Ne duam të hyjmë në Europë dhe duam të kthehemi nga Afrika, t’i presim dorën atij që vjedh. A kemi mundësi që të kemi dënime alternative? E mendoni ate që po bëni apo jo? Nuk është vetëm burgu që zgjidh çdo gjë në këtë botë. Njeriu bën gabim edhe pa dashje, edhe nga një gjendje jo e mire shpirtërore, shkon edhe nga bixhozi. Pse në burg duhet të ikë ai? Nuk ka mundësi që të bëjmë një dënim alternative.
Felaj: Besoj se shqetësimi i zotit Sterkaj ka vend, por duhet treguar sesi funksionon.
Shameti: E para, sa i takon dënimit me gjobë, neni 34 i Kodit Penal, bën specifikimet e mënyrës së deklarimit fajtor dhe dënimit me gjobë, kështu që ezauron të gjithë çështjen e masave të dënimeve me gjobë. E dyta, për shqetësimin e z. Sterkaj. Në pjesën e përgjithshme të Kodit Penal, neni 59 e vijues bën edhe analizën dhe identifikimin e alternativave të dënimit me burgim, paçka se në këto paragrafë, në këtë dispozitë thuhet që kjo vepër dënohet nga kaq vite burgim, në pjesën e përgjithshme të Kodit Penal ka gjetur zgjidhje dhe ky shqetësim se në cilat raste Gjykata vendos pezullimin e gjykimit.
Sterkaj: Mos na thuaj neve mos e merrni me frikë. Nuk jemi përdorues të bixhozit, as në administrimin e lojërave të fatit, por duhet të mendohet, siç është fëmija yt në këtë pjesë. Ne jemi në një moshë që mund të gjykojmë që të bëjmë ligje që realisht duhet të zënë vendin e duhur në opinionin publik, por edhe në jetën e përditshme. Të gjithë kanë fëmijë të gjithë kanë lidhje, prandaj duhet të bëhet një ligj që duhet të funksionojë. Në Shqipëri diku luhet bixhoz, diku tjetër ndalohet. A mund të presim sa t’u mbarojë kontrata këtyre që luajnë bixhoz dhe më pas të vendosim ligje të ashpra sepse unë këtë e kam problem.
