Shqipëria do të përfaqësohet me poste drejtuese në UNWTO, agjencia e specializuar për turizmin me 148 shtete anëtare, për herë të parë që nga anëtarësimi i vendit në 1993.
Blendi Klosi, ministri i Turizmit dhe Mjedisit, do të mbajë postin e zv/ presidentit te Asamblesë së Përgjithshme të UNWTO, siç rezultoi në përfundim të sesionit zgjedhor të Komisionit për Europën që po mbahet në Zagreb të Kroacisë.
Shtetet pjesëmarrëse ne votim uruan Shqipërinë për postin e zv.presidentit të Asamblesë së Përgjithshme të UNWTO, organi më i lartë vendimmarrës i organizatës botërore për turizmin. Pozicioni i zv.presidentit, i Ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, vjen pas angazhimit intensiv për rritjen dhe konsolidimin e turizmit shqiptar, që shënoi në 2018-tën rritjen më të lartë statistikore prej 20 % më shumë të numrit të turistëve krahasuar me 2017-tën.
Përfaqësimi i Shqipërisë në organizatën Botërore të Turizmit nga Ministri Klosi, do të jetë mundësi e shtuar për rritjen e njohjes dhe prezantimit të Shqipërisë turistike në sa më shumë vende të botës, duke i shërbyer në këtë mënyrë përpjekjes për të konsoliduar turizmin shqiptar. Ministri Klosi do të drejtojë disa nga sesionet e takimeve ndërkombëtare për turizmin, që do të mbahen në mbledhjet e Asamblesë së Përgjithshme të UNWTO.
