Close Menu
Tirana News AlbaniaTirana News Albania
  • Kreu
  • Aktualitet
    • Politikë
    • Kronikë
    • Rajon&Bota
    • Ekonomi
  • Lifestyle
    • Shëndeti
    • ShowBiz
    • Horoskopi
    • Kulinari
  • OPED
  • Vendi Im
  • Gjurmë
  • Teknologji
  • Sporti
Facebook Instagram
  • Kontakt
  • Politikat e privatesise
Facebook Instagram
Tirana News AlbaniaTirana News Albania
  • Kreu
  • Aktualitet
    • Politikë
    • Kronikë
    • Rajon&Bota
    • Ekonomi
  • Lifestyle
    • Shëndeti
    • ShowBiz
    • Horoskopi
    • Kulinari
  • OPED
  • Vendi Im
  • Gjurmë
  • Teknologji
  • Sporti
Abonohu
Tirana News AlbaniaTirana News Albania
Rajon&Bota

BE-ja do ta bëjë Britaninë të paguajë, nëse do të bashkohet me fondin europian të mbrojtjes

22:59 / July 21, 20255 Mins Read
Facebook LinkedIn Email WhatsApp
starmer
Share
Facebook LinkedIn Email WhatsApp

Mbretëria e Bashkuar do të duhet të paguajë një përqindje të vlerës së çdo arme të blerë nga kompanitë britanike përmes një fondi të ri europian të udhëhequr nga Brukseli, si pjesë e planeve të BE-së për të përballuar kërcënimin në rritje nga Rusia.

Kryeministri britanik Keir Starmer deklaroi në maj se Britania do t’i bashkohet projektit të ri prej 150 miliardë eurosh të quajtur “Security Action for Europe” (Safe), i cili synon të rrisë shpenzimet ushtarake në të gjithë kontinentin si pjesë e një “rivendosjeje” të marrëdhënieve dypalëshe me BE-në.

Starmer e cilësoi pjesëmarrjen në këtë fond si një mundësi të re për industrinë e mbrojtjes në Britani, që do të ndihmojë në krijimin e vendeve të punës dhe mirëqenien ekonomike.

Megjithatë, sipas dy diplomatëve të BE-së që folën për Financial Times, Londra do të detyrohet të kompensojë Brukselin për të drejtën e pjesëmarrjes në këtë skemë të mbështetur nga BE-ja, e cila synon të blejë dronë, sisteme mbrojtjeje kundërraketore dhe pajisje të tjera.

Një diplomat tha se: “Rregullorja e projektit Safe parashikon një balancë të drejtë mes kontributit dhe përfitimeve të vendeve të jashtme, si Britania.”

Fondi Safe është pjesë e përpjekjes së BE-së për të mobilizuar 800 miliardë euro në shpenzime të reja ushtarake deri në vitin 2030, përballë rrezikut të shtuar nga Rusia dhe kërkesave të presidentit amerikan Donald Trump që Evropa të mbulojë më shumë nga siguria e saj.

Fondi, i nisur në maj, do të ofrojë kredi për shtetet anëtare dhe vendet e “palëve të treta” si Britania, për të mundësuar blerje të përbashkëta armësh. Qëllimi është të rritet fuqia blerëse përmes forcës kreditore të BE-së dhe të bëhet më efikas bashkëpunimi ushtarak europian, i cili sot vuan nga fragmentimi dhe mungesa e koordinimit.

Shuma që Britania do të paguajë ende nuk është përcaktuar, por diplomatët kanë thënë se përderisa kompanitë britanike do të përfitojnë nga paratë e BE-së për të krijuar vende pune dhe rritur kapacitetet, atëherë qeveria britanike duhet të kontribuojë proporcionalisht në fond.

Nëse kompanitë britanike fitojnë kontrata të financuara nga Safe, qeveria në Londër duhet të paguajë një përqindje në fond për të balancuar përfitimin ekonomik, shtoi një diplomat. I njëjti rregull do të vlejë edhe për vende si Kanadaja apo çdo vend tjetër që dëshiron qasje në fond për industrinë e tyre të mbrojtjes.

Që produktet britanike të kualifikohen për financim, së paku 65% e përmbajtjes së tyre duhet të vijë nga anëtarët e Safe, që përfshijnë BE-në, Ukrainën, Islandën, Lihtenshtajnin, Norvegjinë, Zvicrën dhe çdo vend tjetër të tretë që i bashkohet skemës.

Zyrtarë të lartë britanikë kanë thënë se Franca po ndjek një qasje të ashpër në negociatat për mandatin negociator të BE-së, që pritet të përfundojë këtë javë. Një burim e përshkroi situatën si “delikate”.

Mujtaba Rahman nga kompania konsulente Eurasia Group tha se Londra dhe Brukseli duhet të mbajnë fokusin në objektivin kryesor: “Është jetike që të mos lejojnë interesat kombëtare të ngushta të pengojnë qëllimin madhor: forcimin e mbrojtjes së përbashkët europiane përballë kërcënimit nga Rusia e Putinit.”

Franca, që e sheh fondin Safe si mundësi për të zgjeruar industrinë europiane të armëve, kërkon që Britania të japë një kontribut të lartë financiar. Por vende të tjera, të udhëhequra nga Gjermania, kërkojnë të sigurohen që Britania të mos dekurajohet nga kushtet e forta, tha një diplomat tjetër.

Sipas rregullave të BE-së, vendet duhet të aplikojnë për kreditë deri më 29 korrik, me një total të mundshëm prej 150 miliardë eurosh. Më pas, ato duhet të bashkohen me një shtet tjetër pjesëmarrës në Safe për të blerë armë së bashku, duke synuar uljen e çmimeve përmes kërkesës së përbashkët. Britania do të duhet të përdorë fondet e veta kombëtare për të qenë pjesë e këtyre projekteve.

Vendet e treta, përveç atyre të përfshira automatikisht si Ukraina, duhet së pari të nënshkruajnë një marrëveshje sigurie dhe mbrojtjeje me BE-në dhe më pas një marrëveshje të veçantë për t’u bashkuar me Safe.

Britania e nënshkroi marrëveshjen e parë në samitin e “rivendosjes” në Londër në maj, dhe do të negociojë të dytën pasi BE-ja të miratojë mandatin e saj.

Koha është e ngushtë, pasi projektet duhet të paraqiten deri në fund të nëntorit, kur Komisioni Europian do të vendosë cilat të aprovojë.

Zëdhënësi i Komisionit për mbrojtjen, Thomas Regnier, tha se marrëveshja e majit mes BE-së dhe Britanisë lejon që kompani britanike të kontribuojnë deri në 35% të vlerës së një produkti të blerë përmes Safe.

Për një përqindje më të lartë, do të kërkohet “një marrëveshje shtesë me BE-në për aspektet si kontributi financiar dhe siguria e furnizimit,” shtoi ai.

Zyra e kabinetit britanik tha se nuk do të paragjykojë negociatat e ardhshme me BE-në:
“Është në interesin e të gjithëve që Mbretëria e Bashkuar dhe BE-ja të bashkojnë kapacitetet dhe ekspertizën për ta bërë Evropën një vend më të sigurt dhe më të begatë,” thuhet në deklaratë.

BE britani europian fondi mbrojtja
Share. Facebook Twitter Pinterest LinkedIn Email WhatsApp

Postime te ngjashme

A po afrohet paqja në Ukrainë? Moska dhe Parisi nisin bisedimet

12:19 / February 10, 2026

“5 hapat për ta futur Ukrainën në BE në vitin 2027”, Politico risjell deklaratën e Ramës

11:55 / February 10, 2026

Von der Leyen: Evropa mund të ecë me dy shpejtësi

09:50 / February 10, 2026

Procesi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, dita e dytë e deklarimeve përfundimtare në Hagë

09:35 / February 10, 2026
Add A Comment
Leave A Reply Cancel Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

© 2026 TiranaNews. Te gjitha te drejtat e rezervuara.
  • Kontakt
  • Politikat e privatesise

Type above and press Enter to search. Press Esc to cancel.