Një ditë pas publikimit të raportit të Komisionit Europian ku rekomandohet çelja e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë, partia në pushtet në Gjermani, CDU/CSU kërkon shqyrtim të kujdesshëm të raportit të progresit duke thënë se Shqipëria nuk i ka përmbushur kushtet për negociatat e pranimit.
Në deklaratë thuhet se Bundestagu gjerman nuk e shqyrton dot raportin deri në shtator, ndërkohë që pritet që në qershor të vendos dhe Këshilli i Evropës, çka do të thotë një shtyrje e vendimit për rekomandimin e Komisionit.
Në një deklaratë për mediat të zv.kryetarit të grupit parlamentar të kësaj partie, Johann David Wadephul thuhet se do të ketë një analizë të kujdeshme të raportit edhe përsa i përket Britanisë së Madhe, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.
“Grupi parlamentar i CDU / CSU do të analizojë me kujdes Britaninë e Madhe dhe raportet e progresit në Maqedoninë e Veriut dhe do ta krahasojë atë me analizat ekzistuese. Vetëm në këtë mënyrë mund të marrim një vendim të përgjegjshëm nëse kushtet për fillimin e negociatave të pranimit me të dy vendet janë realizuar në të vërtetë, por një shqyrtim i tillë nuk mund të bëhet në një procedurë të shpejtë, kjo nuk do të ishte e pranueshme për popullin gjerman, as nuk do të bënte drejtësi për vendet. Bundestagu gjerman nuk do të jetë në gjendje të vendosë për negociatat e pranimit deri në shtator – ashtu siç është diskutuar me kolegët e grupit parlamentar të SPD-së”, ka thënë Whadephul.

Deklarata vijon më tej se një analizë fillestare tregon se Shqipëria deri më tani nuk ka arritur të përmbushë asnjë nga kushtet për hapjen e negociatave për anëtarësim, siç thuhet nga ministrat e jashtëm të BE më 26 qershor 2018. “Nuk ekziston ende një sistem gjyqësor funksional. As Gjykata Kushtetuese as Gjykata Supreme nuk punojnë. As autoriteti antikorrupsion dhe as autoriteti i saj nënligjor nuk u krijuan fare. Ka përparime në nivelet e ulëta dhe të mesme në luftën kundër korrupsionit. Por ka shumë pak raste korrupsioni në nivelin e sipërm dhe sigurisht nuk ka besim. Megjithatë, ministrat e jashtëm të BE e kërkuan këtë në qershor të vitit 2018. Në mënyrë të ngjashme, janë të dobëta përpjekjet për të luftuar krimin e organizuar. Përveç kësaj, asnjë procedurë ligjore ende nuk është ngritur kundër politikanëve dhe kriminelëve të cilët ishin dënuar në fillim të vitit për blerje të votave. Në fund të fundit, ligji i ri zgjedhor i kërkuar nga Ministrat e Jashtëm ende nuk është vendosur”, vijon deklarata e CDU/CSU.
Kështu partia gjermane shprehet se “Shqipëria ka nevojë për më shumë kohë për t’u përgatitur për negociatat e pranimit. Vendi duhet të bëjë çdo përpjekje për të përmirësuar kushtet për një vendim pozitiv të BE në shtator. Kjo përfshin një dialog të vërtetë midis qeverisë dhe opozitës për të kapërcyer krizën politike. Grupi parlamentar i CDU / CSU është ende i gatshëm të ndihmojë. Të dyja palët duhet, megjithatë, të përgatiten për një dialog të tillë pa parakushte”, thuhet në deklaratë.
Një ditë më parë mediat gjermane shkruanin se Shqipëria ka ndarë politikën në Gjermani, ku CD/CSU shprehet për një hapje negociatash në vjeshtë, ndërsa SPD një çelje të shpejtë të negociatave.
Lexo edhe- Media gjermane: Shqipëria ndan politikën në Gjermani
