“Frankfurter Allgemeine Zeitung” i ka kushtuar këtë të mërkurë një artikull procesit të integrimit të Shqipërisë, dhe rolit të politikës gjermane.
CDU dëshiron t’i rezistojë hapjes së shpejtë të negociatave të pranimit në BE me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. “Do të jetë tetori, derisa të ketë një vendim”, ka thënë kryetari i Komisionit për Çështjet Europiane në Bundestag, Günther Krichbaum.
Ndërsa Ministri i Shtetit për Evropën, Michael Roth nga partia e SPD kërkon një fillim të shpejtë të bisedimeve për pranimin në BE. “Tani është në dorën e BE-së për ta ofruar. Ne duhet të mbajmë fjalën dhe zotimin tonë”, ka thënë ai për “Frankfurter Allgemeine Zeitung”. Sipas tij në Maqedoninë e Veriut dhe në Shqipëri është bërë “një progres i prekshëm”.
Vendimi përfundimtar i takon vendeve anëtare të BE më 18 qershor në një takim të ministrave në Luksemburg.
Media gjermane shkruan se “në Gjermani, megjithatë, Bundestagu duhet të japë dritën jeshile – dhe kjo është e mundur vetëm nëse grupi parlamentar CDU / CSU nuk e kalon. Hapja e negociatave për anëtarësim shihet në mënyrë kritike, veçanërisht në Holandë, Danimarkë dhe Francë”.

