Presidenti amerikan Donald Trump dhe Presidenti rus Vladimir Putin kanë shtrënguar duart në aeroportin e bazës ushtarake Elmendorf-Richardson në Anchorage të Alaskës.
Të dy do të diskutojnë për fatin e luftës në Ukrainë. Një takim ky i shumëpritur dhe kamerat e gjithë botës ndodhen sot në Alaskë.
Kreu i Shtëpisë së Bardhë dhe kreu i Kremlinit qëndruan përpara mediave për t’u fotografuar, por nuk ju përgjigjën asnjë pyetjeje që u bë nga reporterët.
President Putin, a do të bini dakord për një armëpushim”, pyeti një gazetar.
Një tjetër pyeti se cili është mesazhi i Trump për Putinin.
Kurse një tjetër pyeti “a do ta ndaloni vrasjen e civilëve”?
Por asnjë prej dy presidentëve nuk u përgjigj. Pas ndalesës së shkurtër për foto, Donald Trump dhe Vladimir Putin u futën të dy në një makinë, në limuzinën e blinduar të Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Eskorta shoqëruese e dy presidentëve më pas u drejtua për në ambientet ku do të zhvillohet takimi mes tyre.
Forca të shumta sigurie, si nga Rusia, ashtu dhe nga SHBA-ja, kanë blinduar sot qytetin Anchorage të Alaskës për të garantuar sigurinë e presidentëve.
I pari që mbërriti në aeroportin e bazës ushtarake amerikane të Alaskës ishte Donald Trump, avioni presidencial i të cilit zbarkoi rreth orës 20:20.
Ndërsa rreth 30 minuta më vonë, në orën 20:55, u ul edhe avioni i Presidentit rus Vladimir Putin.
Presidenti Trump qëndroi tërë kohës brenda “Air Force One” deri sa mbërriti edhe kreu i Kremlinit, kur të dy dolën njëkohësisht nga avionët respektivë.
Sekretarja e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, njoftoi se Presidenti Trump do të shoqërohet nga Sekretari i Shtetit Marco Rubio dhe i Dërguari i Posaçëm Steve Witkoff.
Kurse Presidenti rus, sipas zëdhënësit të Kremlinit Dmitry Peskov, do të shoqërohet nga ministri i Jashtëm Sergey Lavrov dhe këshilltari presidencial Yuri Ushakov. Ky i fundit më herët ka shërbyer si ambasador i Rusisë në SHBA.
Kremlini ka thënë se takimi mund të zgjasë rreth 7 orë, ndërsa Presidenti amerikan është shprehur se kohëzgjatja do të duket nga diskutimi pozitiv ose jo.
Pas bisedimeve me dyer të mbyllura, është planifikuar një konferencë e përbashkët për shtyp mes dy Presidentëve. Slogani i konferencës është “në ndjekje të paqes”.
Takimi i shumëpritur Trump-Putin pritet të prodhojë një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
