Vendimi i gjykatësit Hazbi Balliu që çliroi pallatin e konfiskuar, është komentuar sërish nga kryeministri Edi Rama. Kreu i qeverisë ka publikuar një foto nga arsyetimi i vendimit të gjyqtarit Balliu, ndërsa shkruan se prokurorë e gjyqtarë po angazhohen në favor të ndërtuesve të paligjshëm. Më 18 qershor Komisioni i Objekteve të Konfiskuara kishte vendosur kalimin në këtë objekt të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, godina e cilës u dëmtua rëndë nga tërmeti i vitit 2019, por gjyqtari Balliu e anuloi këtë vendim duke vendosur sigurim padie me kërkesë të pronarit.
Postimi i plotë
Më në fund gjykatësi Balliu e nxorri arsyetimin e shkruar të vendimit të tij skandaloz për të marrë në mbrojtje palën përfaqësuese të një pallati të ndërtuar totalisht pa leje dhe të konfiskuar në Tiranë, ku u vendos të sistemohej Agjencia Shtetërore e Kadastrës, e cila prej disa vitesh e vazhdonte punën në një objekt të vjetër e të dëmtuar seriozisht nga tërmeti.
Se si mund të angazhohen prokurorë a gjykatës të republikës në favor të ndërtuesve të paligjshëm kjo kërkon të kesh akses në trurin e prokurore Gjelit a të gjykatës Balliut, por se si mund të shkruajë një gjykatës se ASHK nuk ka prova që nuk mund të vazhdojë të rrijë në një godinë ku bien tavanet e muret, kjo kërkon një durim heroik në pritje që organet e kontrollit e të qeverisjes së gjyqësorit të zgjohen nga gjumi i tyre gjithnjë e më i rrezikshëm për fatet e vetë Reformës në Drejtësi.
Në foto keni (mos)arsyetimin e gjykatës Balliut si edhe situatën e godinës së vjetër të ASHK-së, e cila mesa duket për Balliun është normale për sa kohë nuk ka viktima.



