Historia e Osman Cenajt është ndër ato rrëfime që i japin zë dinjitetit të një atdhetari të rrallë. Një burrë me mendje të ndritur, i arsimuar jashtë vendit, që zgjodhi të kthehej për t’i shërbyer vendlindjes dhe më pas për të luftuar për lirinë e saj, edhe kur kjo do të thoshte përballje me dy sisteme shtypëse: pushtuesit e huaj dhe diktaturën komuniste.
Osman Cenaj lindi në familjen atdhetare Cenaj të Shëlliut, një familje e njohur për bujarinë, besën dhe kontributin patriotik. I pajisur me vlera të larta dhe aftësi të veçanta, ai u arsimua në Austri dhe Francë për drejtësi dhe administratë shtetërore. Në vitin 1930, në moshë të re, ai u zgjodh kryetar i bashkisë së Burrelit, ku shërbeu me ndershmëri për katër vite.
Pushtimin fashist të vendit Osmani e priti me armë në dorë. U përfshi në rezistencën e armatosur në Vig e Komsi, krah luftëtarëve të tjerë matjanë. Pas çlirimit, megjithatë, nuk u pajtua me padrejtësitë që solli regjimi komunist. Ai kritikoi hapur ekzekutimet pa gjyq të partizanëve dhe abuzimet e pushtetit të ri. Ky guxim i rrallë u ndëshkua me burgosje.
Fillimisht u izolua në Peshkopi dhe më pas u transferua në burgun famëkeq të Elbasanit. Edhe aty nuk pushoi së kërkuari drejtësi për veten dhe për të burgosurit e tjerë. Në rrethana të paqarta, ai ndërroi jetë në burg, dhe asnjëherë nuk u tha e vërteta për fundin e tij: a vdiq, a u vra apo thjesht u zhduk. Trupi i tij nuk iu kthye kurrë familjes, dhe ende sot ai mbetet i vetmi kryetar bashkie në historinë e Matit pa një varr ku të prehet dhe të nderohet siç i takon.
Por historia nuk e ka harruar. Osman Cenaj është shpallur “Qytetar Nderi” i Njësisë Administrative Macukull, si një akt simbolik për të rikthyer nderimin që i mohua për dekada. Ai ka përfituar statusin e të përndjekurit politik, ndërsa familjarët e tij mbajnë me krenari dëshminë e “Veteranit të LANÇ-it”, duke dëshmuar kontributin e dyfishtë të kësaj figure në historinë e vendit: si luftëtar i lirisë dhe si zë kritik i diktaturës.
Sot, kur kombi ynë rishikon me vëmendje kapitujt e errët të së kaluarës, emra si Osman Cenaj ndriçojnë si pishtarë të ndërgjegjes dhe dinjitetit. Ai ishte ndër të paktët që nuk heshti, edhe kur heshtja ishte rruga më e lehtë. Dhe për këtë, ai meriton jo vetëm kujtesën tone, por edhe nderimin e brezave që vijnë.
