Media spanjolle “The Objective” i ka kushtuar një artikull të veçantë situatës politike në Shqipëri dhe se si ajo mund të ndikojë në rajon.
Në një shkrim të gjatë që nis që nga protestat e studentëve në dhjetor e që vijon më pas me betejën opozitare autori i shkrimit Borja Bauza ka folur me politologun Miguel Roan, autor i librit “Maratona Ballkanike” i cili ka një koleksion artikujsh ku shpjegon psikologjinë kolektive të rajonit.
Duke e nisur nga protesta e studentëve të cilëve Rama u dha “Paktin e Universitetit” dhe shkarkoi gjysmën e qeverisë, Roan thotë se kryeministri shqiptar tregoi një shenjë dobësie që nuk ishte e njohur në të kaluar.
Politologu Miguel Roan komenton më pas protestën e opozitës. Partia Demokratike sipas tij, nuk pati mbështetjen e studentëve, protesta e të cilëve u shua ngadalë. “Opozita donte të kthente konfliktin shoqëror në fitimprurës duke u përpjekur t’u bashkohej studentëve në kauzën e tyre, por pa sukses”, thotë Roan. Studentët nuk dëshironin të përdoreshin si platformë për askënd dhe të lehtësonin ardhjen në pushtet të opozitës që e konsideron fajtor Ramën për gjendjen në vend, shkruan The Objective. Por për Roan kjo ndarje mes studentëve dhe opozitës i dha përparësi taktike qeverisë.
Shkrimi vijon duke thënë se kriza politike po dëmton imazhin e Shqipërisë në këto javë të rëndësishme, kur mund të çelen dhe negociatat për në Bashkimin Europian. Pyetja ngrihet vetvetiu: A munden protestat të ndalojnë negociatat, apo t’i ndryshojnë ato në ndonjë mënyrë?

“Hapja e negociatave nuk varet nga situata në vend gjatë gjashtë muajve të fundit”, thotë politologu Roan i cili vë në dukje se angazhimi i opozitës ndaj qeverisë nuk është pritur mirë nga Brukseli që dërgon një mesazh klasës politike. “Shqipëria është një aktor i rëndësishëm për stabilitetin dhe sigurinë e rajonit, diçka që aktualisht është mjaft e rëndësishme dhe për Bashkimin Evropian dhe që është mbi përparësitë e tjera si lufta kundër korrupsionit, përmirësimi i standardeve demokratike apo transparenca institucionale”, vijon më tej politologu spanjoll.
“Ky është një standard për pjesën tjetër të rajonit, veçanërisht nga paraliza e zgjerimit në vitin 2014, dhe që ka të bëjë me çështjen e nacionalizmit shqiptar dhe ndikimi i saj në Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, Serbi dhe Kosovë dhe rreziqet që mund të çojnë në mungesën e kontrollit të saj”, thotë më tej autori i “Maratonës Ballkanike”.
Roan thekson se “Edi Rama në Shqipëri, si Aleksandër Vuçiç në Serbi dhe Milo Gjukanoviç në Malin e Zi janë parë si garantues të stabilitetit rajonal në kancelaritë evropiane”.
Me fjalë të tjera: pavarësisht nga gjithçka, Rama ka mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare.
Shkrimi mbyllet me deklaratën e presidentit Meta se është i gatshëm të heqë dorë nga mandati i Presidentit, apo një sakrificë si Salvador Allende, për ti dhënë zgjidhje krizës politike në vend. “Prandaj, konflikti vijon për një kohë të gjatë”, përfundon media spanjolle.

