Aksi rrugor Qukës-Qafë-Plloçë është tashmë i hapur për qarkullimin e automjeteve, duke krijuar një lidhje të rëndësishme për zonën juglindore të vendit.
Kryeministri Edi Rama ndau mëngjesin e sotëm pamje nga rruga e re dhe opinione të qytetarëve të cilët kanë kaluar përmes aksit rrugor më të ri Qukës-Qafë Plloçë, i cili i shërben të gjithë zonës së juglindjes.
Kreu i qeverisë në postimin e tij thekson se aksi ofron një udhëtim të këndshëm dhe në një kohë më të shkurtër.
Sakaq, qytetarët shprehen entuziast për aksin e ri rrugor, i cili sipas tyre ka lehtësuar kalimin, ulur trafikun në zonën e Pogradecit dhe jo vetëm, si dhe ka shkurtuar udhëtimin nga Shqipëria e mesme drejt juglindjes dhe anasjelltas.
’’Super rrugë, shumë rrugë e mirë, shkurton kohë, shpëtuam edhe ne nga trafiku’’, u shpreh një qytetar.
’’Shumë e mirë! Rruga superspketakël, na shpëtoi të gjithëve’’, tha një tjetër.
’’Do lidhë juglindjen me Shqipërinë e Mesme, na bëhet qejfi që ja arritëm kësaj dite’’, tha një qytetar tjetër.
Sipas tyre rruga shkurton shumë distancën me zonat e tyre të banimit.
’’Rrugë që i duhej këtij qyteti’’, tha një qytetar.
’’Shumë e mirë shkurton shumë, dolëm në Pogradec për gjysëm orë’’, tha një tjetër.
