Nis sot viti i ri shkollor për rreth 345 mijë nxënës dhe 31 mijë mësues. Në bankat e shkollës do të ulen për herë të parë 26 500 nxënës, një numër në ulje ky krahasuar me një vit më parë, ku më klasën e parë u regjistruan 28 mijë nxënës.
Nga shkolla “Angela Merkel” në Kamëz që këtë 8 shtator hapi dyert për herë të parë për më shumë se 1,100 nxënës, Ministrja e Arsimit, Ogerta Manastirliu tha se infrastruktura shkollore dhe kushtet për nxënësit e mësuesit janë përmirësuar.
“Sot, në ditën e parë të shkollës, ne kemi hapur 30 shkolla të reja apo të rehabilituara, falë mbështetjes edhe të partnerëve, qeverisë shqiptare dhe të bashkive gjithashtu. 30 shkolla të reja të cilat ofrojnë kushte dhe standarde bashkëkohore për më shumë se 10 mijë nxënës dhe mësues”, tha Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu.
Por opozita sot tregoi kritikat. PD e pa ndryshe panoramën që të ofron nisja e vitit të ri shkollor. Kryetarja e Komisionit të medias, Ina Zhupa tha se 2025-sa e gjen arsimin me buxhet të ulët, me reduktim të numrit të nxënësve, me premtime që nuk mbahen për drekën e libra falas, sigurinë në shkollë apo mësim me turne. Deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho tha se shumë zona në kryeqytet, ende nuk kanë një shkollë të tyre.
