Kryetari i opozitës, Lulzim Basha i pranishëm në protestën e banorëve të Unazës së re, ka komentuar çeljen e fushatës zgjedhore të Partisë Socialiste.
Basha tha se “të pandehurit u mblodhën në një palestër si në furrik”. Kreu i opozitës shtoi më tej se nuk mjafton të ndalet e keqja, por “duhet shkulur me rrënjë”.
Duke u ndalur tek protesta e ditës së dielës, ndërsa u bëri edhe njëherë thirrje qytetarëve për të marrë pjesë, Basha tha se ajo do të hy në histori si ‘bashkimi i zemrave kundër tiranisë”.
“Sot një ditë para 2 qershorit, jam i sigurt që do të hymë në një tjetër rekord si bashkimi i zemrave kundër tiranisë. Dua ta them fare qartë se ndalja e të keqes nuk mjafton, ajo është e panegociueshme.
Kjo e keqe është një kancer dhe ndalja e kancerit nuk mjafton për të shpëtuar pacientin dhe prova më e qartë është sot në dy vende, njëri 2 km prej këtej, në një palestër ku u mblodhën si në furrik të pandehurit, për të shpallur projektin e tyre ogurzi të kapjes së pushteteve me krimin, me kandidatë për bashki vrasës dhe injorantë. E keqja donë të marshojnë në të gjithë Shqipërinë.
E dyta provë është 80 km në veri. Këtu e morën një grusht të fortë, këtu janë ndalur, por e keqja nuk është ndalur, është dhjetëfishuar. 300 milion duan të vjedhin me rrugën Milot-Balldren, me të njëjtën skenë si me Unazën e Re. Që shtëpitë tuaja të jenë të sigurta dhe këta vogëlushë të shkojnë në shkollë të patraumatizuar nga lotët e prindërve, nuk mjafton ta ndalim të keqen. E keqja duhet shkulur me rrënjë”, tha Basha.
