Deputeti i Qarkut Dibër Agron Malaj është shprehur se situata e krijuar në Bashkinë e Matit është përballuar me sukses nga drejtuesit dhe specialistët e kësaj njësie falë një angazhimi maksimal.
“Bashkia Mat ka qenë plotësisht e angazhuar në përballimin e situatës së krijuar nga reshjet e dendura të shiut gjatë 24 orëve të fundit. Rreth 100 forca operacionale dhe 15 mjete kanë punuar pa ndërprerje për të asistuar dhe evakuuar banorët në nevojë, për të mbajtur të hapura kanalet dhe akset rrugore, si dhe për të menaxhuar në mënyrë sa më efikase gjithë situatën emergjente” tha Malaj.
Duke qenë i bindur se është përballuar një situatë e vështirë deputeti shkruan: “Shpreh mirënjohjen time të thellë për të gjithë stafin e Bashkisë Mat, i cili u tregua i përkushtuar dhe profesional në një moment vërtet kritik, ku brenda vetëm një ore ka rënë sasia e reshjeve e barasvlefshme me atë të një muaji.”
“Ndërkohë, për ata që zgjedhin të baltosin punën dhe përpjekjet e njerëzve që janë në terren, dua t’i ftoj të kontribuojnë për komunitetin me punë konkrete, jo me fjalë dhe shpifje. Në momente të tilla kërkohet solidaritet dhe angazhim, jo përçarje”, shprehet Malaj teksa hedh poshtë akuzat e disa individëve që mendojnë se janë ende në fushatë elektorale.

