Kreu i Sindikatës së Punonjësve të Arsimit të Lartë, Aleksandër Kovaçi, ka njoftuar nga protesta para Kryeministrisë se Kryesia e Sindikatës ka vendosur të bojkotojë procesin mësimor në universitete, në shenjë solidariteti me studentët.
Megjithatë, ende nuk është e qartë nëse vendimit do t’i bashkohen të gjithë pedagogët në vend. Deri më tani, vetëm rreth 10% e personelit akademik ka firmosur peticionin që kërkon dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e një qeverie kujdestare.
Edhe në protestën e zhvilluar para Kryeministrisë mori pjesë vetëm një grup pedagogësh, nga afro 10 mijë punonjës që numëron personeli akademik në vend.
Vendimi për bojkotin vjen në një kohë kur protestat në Tiranë vijojnë prej disa ditësh, ndërsa mbetet për t’u parë se sa i gjerë do të jetë reagimi i pedagogëve dhe nëse bojkoti do të përfshijë universitetet në të gjithë vendin.
