Ministri për Pushtetin Vendor, Ervin Demo dhe ministri i Financave, Petrit Malaj lançuan sot, 3 dhjetor, reformën e taksës mbi pronën në Shqipëri.
“Ditë e rëndësishme për bashkitë në vend, sepse për të rritur të ardhurat, taksa e pasurisë është e para dhe mua më vjen mirë se kur jam vënë në dijeni për këtë reformë, ishte një nismë që i motivoi të gjithë për ta vënë në jetë”, tha fillimisht ministri Demo.
“Ka një rritje të konsiderueshme të të ardhurave lokale bazuar mbi taksën e pronësisë, që çon në shërbime më të mira për qytetarët. Patjetër do kemi një hartë që do ta ketë shtratin e qëndrueshëm për të ofruar shërbime më të mira”, shtoi ai.
Ndërsa ministri Malaj, e nisi fjalën e tij duke thënë se projekti ‘ProTax Albania‘do të çojë në një taksim më të drejtë dhe efikas të pronës në vend.
“E nisëm rrugëtimin me Fondin Monetar Ndërkombëtar, më pas me Agjencinë suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim nisëm zbatimin e projektit, për të garantuar taksën e pronës bazuar në vlerën e tregut dhe për ta kthyer në burimin kryesor të të ardhurave për bashkitë. Krijuam edhe Drejtorinë e Përgjithshme të Taksës si dhe Kadastrën Fiskale. U deshën gati 7 vite, por procesi ishte shumë kompleks sepse u vështirësua me tërmetin, pandeminë e deri sa arritëm në këtë stad.”
Deklaroi se ka përfunduar hartimi i ligjit të ri të taksës dhe shumë shpejt do t’i kalojë Këshillit të Ministrave për miratim.
“Kemi një Kadastër funksionale me informacione të qendërzuara me sistem unik e me standarde europiane”, nënvizoi Malaj.
Tha se mbledhja e kësaj takse, duhet të përkthehet në më shumë shërbime për qytetarët dhe investime.
Sipas tij, do u garantojë bashkive pavarësi financiare.
“T’i çojmë të ardhurat nga kjo taksë në nivelin 1% të prodhimit të brendshëm bruto (PBB)”, theksoi Malaj.
Kryetarëve të bashkive u tha se “do të jenë ata që do ta mbledhin këtë taksë dhe që do jenë përgjegjës për ofrimin e shërbimeve ndaj qytetarëve”.
“Brenda vitit të ardhshëm të gjitha bashkitë duhet të jenë të regjistruara te Kadastra Fiskale, në 2027-ën do bëhet vlerësimi i pronave deri në aplikimin e ligjit të ri që do të hyjë në fuqi në vitin 2028“, përfundoi ministri.
