Sali Berisha në foltoren e kësaj të hëne para Kryeministrisë që përkon me Ditën e Rinisë, teksa solli në vëmendjen lëvizjen studentore të dhjetorit të 35 viteve më parë, e cilësoi vendin ku u mblodhën si sheshin e lirisë. Ai vlerësoi studentët e dhjetorit 1990 dhe rolin e tyre historik në rrëzimin e diktaturës.
“Përshëndetjet më të përzemërta ju, qytetareve dhe qytetarëve të pranishëm sonte në këtë shesh, sheshin e lirisë. Një përshëndetje dhe nderimin më të madh studenteve dhe studentëve të dhjetorit 1990, që të prirë nga tribuni legjendar i kombit, nga studenti Azem Hajdari, ndanë epokat, përmbysën epokën e shtypjes më të egër, shpërfytyrimit më të madh të shqiptarëve dhe çelën dyert e lirisë për kombin tonë, çelën dyert e përparimit, e të ardhmes së shqiptarëve. Çelën dyert për zgjidhjen e problemit, e çështjes shqiptare”, deklaroi Berisha.
Ai e krahasoi lëvizjen studentore të vitit 1990 me energjinë e gjeneratës së sotme të të rinjve në botë, por vuri në dukje se kushtet në të cilat vepruan studentët shqiptarë ishin shumë më të vështira. Berisha rikujtoi protestën e 8 dhjetorit të një grupi të vogël studentësh të Universitetit të Tiranës, të cilët, sipas tij, firmosën veten si të pamposhtur dhe në vetëm tri ditë gjunjëzuan regjimin e kohës. Sipas kreut demokrat, sot Shqipëria nuk është më diktaturë, por Partia Demokratike thekson ai, mbetet forca politike që u del zot shqiptarëve.
“Sot, pas 35 vitesh, ne nuk jemi më një diktaturë moniste. Studentët e dhjetorit nuk kishin një forcë politike që t’u dilte zot. E vërteta është se edhe qytetarët e trembur, dy ditët e para nuk u afruan me ta. Por ata vazhduan dhe fituan. Kurse sot, shqiptarët kanë një forcë politike dhe kjo është PD. Parti e themeluar nga studentët e dhjetorit. Parti e idealeve të dhjetorit. Parti, e cila është e dyta dhe e vetme në gjithë hapësirën ish-komuniste që iu mbijetoi tallazeve dhe të gjitha përpjekjeve për ta zhdukur dhe mblidhet sot këtu e betuar si kurrë më parë për të rikthyer edhe njëherë në piedestal idealet e larta të lëvizjes së dhjetorit, lirinë e shqiptarëve, votën e lirë, dinjitetin e tyre, familjen shqiptare, interesin kombëtar të shqiptarëve”.
