Tayna ka ndarë një nga momentet më emocionuese të karrierës së saj: një mesazh të gjatë dhe të sinqertë nga një nënë, vajza e së cilës vuan nga autizmi i rëndë dhe nuk flet por ka gjetur zërin përmes këngëve të reperes.
Në mesazh, nëna tregon se vajza e saj, e cila nuk komunikon me fjalë, ka krijuar një lidhje të veçantë me muzikën e Taynës. Çdo mëngjes, përpara se të shkonin në shkollë, ajo kërkonte të dëgjonte këngët e artistes me zërin në maksimum gjatë udhëtimit.
Por momenti që i ka befasuar të gjithë ka ndodhur para një jave, kur vajza ka nisur të këndojë këngën “Ujë” nga fillimi në fund. Familja mbeti e habitur, pasi ajo nuk kishte shqiptuar më parë asnjë fjalë.
“Na ka befasuar krejt familjen kur ka filluar të këndojë këngën Ujë… krejt këngën e ka kënduar,” shkruan nëna, duke shtuar se ishte një nga momentet më prekëse që kanë përjetuar. Ajo falënderon Taynën për ndikimin e jashtëzakonshëm që këngët e saj kanë pasur te vajza:
“Këngët e tua ia kanë lejuar qikës time të flasë dhe të këndojë me gjithë shpirt.” Në fund, nëna shpreh mirënjohjen e saj të thellë: “Ti bën një ndryshim të madh edhe te fëmijët me aftësi të kufizuara. Të duam shumë, sidomos Aylina”.

