Pas protestës së dhunshme të opozitës, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ndodhet në Berlin, ku do të jetë ligjërues në Dialogun për Ballkanin Perëndimor.
Partia Demokratike ka zbardhur temat që do të diskutohen në këtë konferencë:
“Angazhimi i Gjermanisë ndaj perspektivës Europiane për vendet e Ballkanit Perëndimor, zgjerimi i BE dhe strategjia politike dhe ekonomike për Ballkanin Perëndimor janë temat në qendër të Dialogut të Nivelit të Lartë që organizon Fondacioni Konrad Adenauer në bashkëpunim me Këshillin Ekonomik Gjerman në Berlin”, thuhet në njoftimin e PD. Në këtë takim do të marrin pjesë personalitetet kryesore të grupimit parlamentar, CDU/CSU, partitë simotra të PD-së të cilët më herët kanë dalë kundër djegies së mandateve nga opozita e bashkuar dhe shtyrjes së zgjedhjeve.
“Të ftuar të veçantë të këtij takimi do të jenë Presidenti i Bundestagut gjerman, Dr Ëolfgang SCHÄUBLE, Kryetarja e CDU, Annegret KRAMP-KARRENBAUER dhe Komisioneri i BE për Buxhetin dhe Burimet Njerëzore, Günther OETTINGER. Një ndër referuesit kryesore në këtë konferencë do të jetë Manfred Ëeber kandidati i Partisë Popullore Europiane për President të Komisionit Europian. Joachim Bertele, zvKryekëshilltari i kancelares Angela Merkel për Politikat e Jashtme, të Sigurisë dhe Zhvillimit, do të hapë punimet e Dialogut 2 ditor me një prej temave më të rëndësishme, Procesi i Berlinit dhe përtej: Angazhimi i Gjermanisë për perspektivën europiane të Ballkanit Perëndimor. Në qendër të diskutimeve me personalitetet e larta nga politika dhe industria gjermane është edhe intensifikimi i bashkëpunimit politik dhe ekonomik me Gjermaninë dhe parashtrimi i planit të Partisë Demokratike për zhvillimin ekonomik të vendit e në veçanti thithja e investimeve gjermane, bazuar në programin ekonomik të hartuar me mbështetjen e Fondacionit Konrad Adenauer dhe ekspertëve ekonomikë të Unionit Kristian-Demokrat Gjerman CDU”, thuhet në njoftimin e PD-së.