Zbardhen diskutimet me dyer të mbyllura në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të PD-së. Ish-kandidati për deputet Aulon Kalaja, është shprehur në pjesën e takimit me dyer të mbyllura të Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike se duhet të ngrihet një Komision Hetimor për mënyrën se si deputetët demokratë dhanë frmat për kandidaturën e Endri Shabanit për Avokat të Popullit.
Sali Berisha: Ne do t’i përqendrojmë diskutimet vetëm te kjo temë. Çdo anëtar është i ftuar të shprehë sugjerimet, mendimet dhe kritikat e tij, duke mbetur parti e fjalës së lirë. Sot do të fokusohemi te organizimi i protestës. Kjo protestë është vetëm fillimi.
Edi Paloka: Ka një nismë nga 17 anëtarë të Këshillit Kombëtar. Propozoj që, meqë sot tema është protesta, të ngrihet një grup pune ndërkohë dhe ta diskutojmë në mbledhjen më të parë.
Lisander Hoxha, propozuesi i nismës: Ne besojmë se Soros është kancer për demokracinë; jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për SHBA-në etj. Në mesin tonë është e papranueshme të kemi njerëz të lidhur me këtë organizatë.
Sali Berisha mësohet se ka sqaruar arsyet e vonesës së mbledhjes së Këshillit Kombëtar:
Arsyeja është faktimi i farsës elektorale dhe pritja e raportit të OSBE/ODIHR.
Aulon Kalaja: Jam dakord me Lisandrin. Soros duhet të shpallet non-grata nga qeveria e ardhshme. Mendoj se PD-ja duhet të shkojë më djathtas; duhet të jemi konservatorë dhe jo të themi se jemi parti e qendrës së djathtë. Është zgjedhur Avokat i Popullit një person i lidhur me Sorosin, me firmat e PD-së. Të ngrihet një Komision Hetimor për mënyrën se si u morën firmat për Shabanin.
Sekretari i Përgjithshëm, Noka: Janë ndarë grupet e punës për organizimin e protestës së 22 dhjetorit. Do të monitorohet kontributi i secilit.
Sali Berisha: Ju ftoj përsëri që secili prej nesh të zhvendoset në një orbitë të re. Tani kemi qartësi që të ndërtojmë një platformë antidiktatoriale, pasi karakteri represiv i regjimit dhe shndërrimi i zgjedhjeve në farsë janë tashmë të konfirmuara ndërkombëtarisht. Diktaturat autokratike mund të zgjasin shumë vite; me votë ato nuk largohen. Platforma jonë bazohet te ata njerëz që guxojnë. Tani është koha e përqendrimit total dhe e provës me këtë regjim. Degët duhet të rezistojnë. A i kemi thënë ne armikut “armik”? Jo, në masën e duhur. Ne nuk bojkotojmë Parlamentin. Asgjë nuk e zëvendëson protestën.
