Policia e Shkodrës ka finalizuar operacionin “Neonët 9”, duke e çuar në 14 numrin e rasteve të kultivimit të kanabisit në ambiente të mbyllura, ose siç njihen si “shtëpi bari”. Autoritetet zbuluan në lagjen “10 korriku” një tunel që ishte përshtatur për këtë aktivitet kriminal.
Për këtë arsye janë arrestuar në flagrancë dy autorë të dyshuar të kësaj veprimtarie kriminale. Në pranga është vënë edhe një punonjës i OSHEE-së ndërsa janë proceduar penalisht tre të tjerë për shpërdorim detyre.
“Nga kontrollet në këtë ambient u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale: 555 fidanë dhe 115 bimë të dyshuara narkotike kanabis, 126 llamba, 80 pajisje inventer, 31 panele LED dhe 17 filtra ajri, që shërbenin për kultivimin dhe tharjen e fidanë dhe bimëve narkotike. Në vijim të veprimeve për rastin, u arrestuan në flagrancë shtetasit A. P., 35 vjeç, banues në Shkodër dhe K. H., 30 vjeç, banues në fshatin Degë, Tropojë, të cilët u kapën në ambientet e tunelit. Gjithashtu, u vu në pranga shtetasi D. S., 40 vjeç, banues në Shkodër, si dhe nisi hetimi për shtetasit D. P., 32 vjeç, M. H., 35 vjeç dhe F. V., 23 vjeç, punonjës të OSHEE-së, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim”, njoftoi policia.
