Ministrja e Jashtme e Shqipërisë Elisa Spiropali ka zhvilluar sot në 25 shkurt një takim me homologun e saj nga Kosova, Glauk Konjufca.
Në konferencën për mediet, Spiropali u shpreh se Kosova meriton statusin e kandidatit në BE. Ajo foli edhe për gjyqin në Hagë për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Spiropali deklaroi se Tirana nuk është kundër drejtësisë ndërkombëtare, por se nuk mund të barazohet viktima me agresorin.
Spiropali deklaroi se Shqipëria dhe Kosova duhet që të bashkëpunojnë më shumë në fusha të ndryshme. Sipas saj, Tirana e ka mbështetur dhe do e mbështesë fuqishëm Kosovën në anëtarësimin e saj në organizata ndërkombëtare.
“Barazia ndërkombëtare e Kosovës është çështje e drejtësisë. Kosova meriton statusin e kandidatit për në BE. Sa i përket dialogut me Serbinë, ne mbetemi për një dialog konstruktiv. Por ne jemi për njohjen e Kosovës si një shtet i pavarur dhe Serbia duhet të pranojë realitetin se Kosova është shtet i pavarur. Shqipëria do vazhdojë ta mbështesë fuqishëm Kosovën, për anëtarësim në sa më shumë organizata ndërkombëtare.
Shqipëria respekton dejtësinë ndërkombëtare dhe pavarësinë e saj, por drejtësia nuk mund të ecë me standarde të dyfishta, nuk mund ta vendosë viktimën dhe agresorin përballë njëra-tjetrës. Procesi duhet të zhvillohet në kontekstin e plotë të luftës së Kosovës. Sot në Hagë përballen në proces ish-krerët e UÇK-së. Ata janë figura që respektohen në Kosovë. Drejtësia duhet të jetë e plotë, pa shkelje të të drejtave të njeriut, ajo nuk mund të injorojë faktin se në Kosovë ka pasur dhunë dhe vrasje të civilëve shqiptarë nga ushtria serbe. Rezistenca e një populli për liri vendoset e barabarë me një shtet agresor. Lufta e Kosovës për liri nuk është në gjyq.
Integrimi i Kosovës në BE është shumë e rëndësishme për siguri në vend dhe në rajon. Ne duam ta shohim Kosovën sa më pranë strukturave të NATO-s dhe duam të kemi trajtime të përbashkëta. Në planin ekonomik, ne duam që të kemi shkëmbime tregtare sa më të shumta. Realiteti i një tregu të përbashkët mbarëshqiptar duhet të bëhet gjithmonë e më shumë funksional. Është e rëndësishme sot që të ndërtohet hekurudha Durrës-Prishtinë dhe të shtojmë infrastrukturën lidhëse mes dy vendeve”, deklaroi ajo.
Në fund të fjalës, Spiropali u shpreh se Tirana zyrtare ka lobuar dhe do të lobojë fort për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që mbahen në Hagë. Ajo tha se Kosova nuk mund të jetë në gjyq dhe se lufta e saj çlirimtare është e drejtë.
