Durim Bami ka mbërritur në Shqipëri pas ekstradimit nga Dubai.
Mediat kanë ndjekur shoqërimin e tij nga Rinasi drejt IEVP nga Forcat Operacionale të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.
Durim Bami, një nga anëtarët e bandës së Niklës, u arrestua në Dubai në tetor të vitit 2024.
Bami ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Posaçme i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale, ose grup i strukturuar kriminal”.
Ai akuzohet se kishte kërkuar eliminimin e ish-deputetit socialist Arben Ndoka, ndërsa edhe ky i fundit dhe anëtarë të tjerë të grupeve kriminale e donin Bamin të vdekur. Ervis Martinaj kishte ofruar 1 milion euro për eliminimin e tij.
Ndërsa në shkurt 2021, Bami bashkë me Endrit Doklen dhe Marklen Hakën planifikoi vrasjen e Tori Xhecukës dhe Erigers Mihasit, mik i Ervis Martinaj i cili u vra në Tiranë.
Sipas SPAK, Durim Bami drejtonte e financonte një grup që kultivonte kanabis në Nikël dhe Bubq gjatë dhjetor 2019–korrik 2020 dhe sërish në shtator 2020, duke administruar të gjithë aktivitetin. Në ndihmë i vinte ish-efektivi i RENEA-s, Altin Morina (i arrestuar) dhe persona të tjerë të paidentifikuar, që jepnin informacione të brendshme dhe shmangnin kontrollet policore.
