Dita Ndërkombëtare e Gruas, 8 marsi festohet sot në të gjithë botën, për të nderuar dhe respektuar figurën e gruas. Kjo ditë është simbolike për rrugëtimin historik që gratë në të gjithë botën kanë bërë për të përmirësuar jetën e tyre.
Në Shqipëri festa e gruas është kthyer në një simbol të veçantë për nënat dhe vajzat. Ato marrin dhurata nga fëmijët apo bashkëshortët, në shenjë mirënjohje dhe respekti. Kjo ditë shërben jo vetëm për bashkimin e grave pa dallim feje, race, kulture, gjuhe dhe prejardhjeje, por edhe për të kujtuar përpjekjet për barazi, paqe, drejtësi dhe ndërtim për disa dekada
Forcën e vërtetë të jetës dhe shoqërisë sonë e vlerësoi Kryeministri Edi Rama. Në një mesazh për 8 marsin, kreu i qeverisë falenderon gratë për gjithçka që ato bëjnë çdo ditë.
“Një falënderim për gjithçka bëjnë çdo ditë, por edhe një urim me gjithë zemër që pjesëmarrja e tyre të rritet, angazhimi i tyre të forcohet dhe gjithçka që ato i sjellin Shqipërisë të bëhet edhe më shumë, falë zërit, energjisë dhe kontributit të tyre”, shkruan ndër të tjera Rama.
Presidenti Bajram Begaj përmes një postimi në rrjetet sociale shpreh mirënjohje për të gjitha gratë shqiptare dhe rolin e tyre në shoqërinë tonë.
“Me forcën, sakrificat dhe dashurinë tuaj, ju mbani gjallë shpirtin e familjes dhe të kombit”, shkruan Begaj.
Si lindi 8 Marsi?
Fillimisht, 8 marsi u shënua në Shtetet e Bashkuara, ndërsa sot protestohet dhe festohet në shumë vende të botës! Ndërsa shumë njerëz e mendojnë si një çështje feministë, rrënjët e saj qëndrojnë në lëvizjen punëtore.
Dita Ndërkombëtare e Grave nisi nga lëvizja e punës për t’u bërë një ngjarje vjetore e njohur nga Kombet e Bashkuara. Gjithçka nisi në vitin 1908, kur 15,000 gra marshuan nëpër qytetin e Nju Jorkut duke kërkuar orë më të shkurtër pune, paga më të mira dhe të drejtën e votës. Ishte Partia Socialiste e Amerikës që shpalli Ditën e Parë Kombëtare të Gruas, një vit më vonë. Ideja për ta bërë ditën ndërkombëtare erdhi nga një grua e quajtur Clara Zetkin.
Ajo sugjeroi idenë në vitin 1910 në një Konferencë Ndërkombëtare të Grave Punëtore në Kopenhagë. Kishte 100 gra, nga 17 vende, dhe ata ranë dakord për sugjerimin e saj njëzëri. Ajo u festua për herë të parë në 1911, në Austri, Danimarkë, Gjermani dhe Zvicër.
Njëqindvjetori u festua në vitin 2011, kështu që këtë vit ne po festojmë teknikisht 109-të Ditën Ndërkombëtare të Grave.
Ish-presidenti Ilir Meta ka uruar të gjitha gratë dhe vajzat me rastin e festës së 8-të Marsit.
Në një reagim në rrjete sociale Meta shprehet se gratë janë forca, frymëzimi dhe shtylla e çdo familjeje shqiptare
Postimi i plotë:
Gëzuar 8 Marsin!
Sot është një ditë për të nderuar dhe falenderuar me mirënjohjen më të madhe të gjitha gratë dhe vajzat, nënat dhe motrat, që me dashurinë, sakrificat dhe përkushtimin e tyre lartësojnë vlerat më të mira të familjes dhe shoqërisë sonë. Ato janë forca, frymëzimi dhe shtylla e çdo familjeje shqiptare.
Kjo ditë na kujton gjithashtu se duhet të vazhdojmë të punojmë së bashku që çdo grua dhe vajzë të ketë mundësi të barabarta, të jetojë pa diskriminim e pa dhunë dhe të realizojë plotësisht potencialin e saj.
Fuqizimi social, ekonomik dhe politik i grave është një hap i rëndësishëm për një shoqëri më të drejtë, për familje më të forta dhe për një Shqipëri më të zhvilluar dhe europiane.
Gëzuar 8 Marsin në veçanti të gjitha grave dhe vajzave të Lëvizjes së Gruas për Integrim dhe mirënjohje për sakrificat, qëndresën dhe kontributin e tyre të vyer në Partinë e Lirisë dhe punën e palodhur që bëjnë çdo ditë për të vënë në jetë 5 Prioritetet tona për 4 milion shqiptarë plus.
Mbështetja për vajzat dhe gratë është prioriteti i programit të Partisë së Lirisë, sepse ne jemi të vendosur për mbrojtjen dhe fuqizimin e familjes dhe vlerave të shoqërisë sonë.
Mesazhi i Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha ka uruar të gjitha gratë e vajzat me rastin e 8-të Marsit, Dita Ndërkombëtare e grave.
Përmes një postimi në rrjetin social X, Hoxha shprehet se 8 Marsi rikthehet çdo vit si një kujtesë e fuqishme e forcës që mban të bashkuara familjet, komunitetet dhe shoqëritë: qëndrueshmëria, vendosmëria dhe vizioni i grave dhe vajzave.
“Në Shërbimin e Jashtëm të Shqipërisë, kjo forcë është e dukshme çdo ditë. Sot, gratë përbëjnë shumicën në Trupën tonë Diplomatike; shumë prej tyre mbajnë pozicione kyçe drejtuese – përfshirë të tre zëvendësministrat, një numër ambasadoresh dhe anëtare të ekipt të lartë drejtues – duke kontribuar në formësimin e angazhimit të Shqipërisë në botë. Përmes profesionalizmit, përkushtimit dhe lidershipit të tyre, ato japin një kontribut vendimtar në avancimin e prioriteteve tona, dialogut dhe bashkëpunimit.
Shqipëria është veçanërisht krenare që e vendosi agjendën “Gratë, Paqja dhe Siguria” në qendër të punës së saj gjatë mandatit në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Nxitja e pjesëmarrjes kuptimplotë të grave në proceset e paqes dhe sigurisë, mbrojtja e të drejtave të tyre dhe garantimi që zëri i tyre të dëgjohet në vendimmarrje mbeten angazhime thelbësore të politikës sonë të jashtme.
Në këtë Ditë Ndërkombëtare të Gruas, në emër të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, shpreh mirënjohjen time të thellë për të gjitha gratë që i shërbejnë vendit tonë me integritet dhe përkushtim, shpesh edhe në mjedise të vështira dhe sfiduese, si dhe u përcjell urimet më të përzemërta të gjitha grave dhe vajzave në Shqipëri dhe në mbarë botën’, shkruan ai.
Presidenti Bajram Begaj ka uruar të gjitha gratë shqiptare për festën e 8-të Marsit. Përmes një postimi në rrjetet sociale kreu i shtetit shpreh mirënjohje për për çdo nënë, motër dhe bijë ‘që e bën Shqipërinë më të mirë çdo ditë’.
“Gëzuar 8 Marsin të gjitha grave shqiptare! Me forcën, sakrificat dhe dashurinë tuaj, ju mbani gjallë shpirtin e familjes dhe të kombit. Respekt dhe mirënjohje për çdo nënë, motër dhe bijë që e bën Shqipërinë më të mirë çdo ditë”, shkroi Begaj në rrjetet sociale.
Me rastin e 8 Marsit, Ditës Ndërkombëtare të Grave, Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, përcolli një mesazh urimi dhe vlerësimi për të gjitha gratë dhe vajzat shqiptare
Në mesazhin e tij, ai shprehu mirënjohje dhe respekt për kontributin, forcën dhe përkushtimin e grave në familje, në shoqëri dhe në jetën publike, duke theksuar se ato janë një faktor i rëndësishëm progresi dhe zhvillimi për vendin.
Kryetari i Kuvendit vlerësoi rolin dhe angazhimin e grave shqiptare në çdo fushë të jetës, duke uruar që kjo ditë të shërbejë si një moment reflektimi për rëndësinë e barazisë gjinore dhe mbështetjes së tyre në ndërtimin e një shoqërie më të drejtë dhe më të zhvilluar.
“Gëzuar 8 Marsin, Ditën Ndërkombëtare të Grave! Mirënjohje dhe respekt për të gjitha gratë dhe vajzat shqiptare për kontributin, forcën dhe përkushtimin e tyre, si një faktor progresi në familje, në shoqëri dhe në zhvillimin e vendit”, ka shkruar Peleshi në faqen e tij në Facebook.
