Familjarët e 26 viktimave të masakrës së Gërdecit në fabrikën e demontimit të armëve, shprehin publikisht për të 18-in vit radhazi dhimbjen e tyre për fëmijët e humbur, për jetët e të cilëve ende pas kaq shumë vitesh nuk ka një përgjegjës. I vetmi që ka ‘hyrje-dalje’ në Gjykatën e Posaçme Antikorrupsion për këtë çështje, është ministri i Mbrojtjes i kohës, Fatmir Mediu, i cili akuzohet vetëm për veprën penale “shpërdorim detyre”.
Mediu pretendon se atij po i bëhet një gjyq publik, pa fakte e prova që e implikojnë në jetët e humbura, ndërsa familjarët e viktimave flasin për një tjetër realitet tepër të dhimbshëm. Në deklaratë flitet për një proces ligjor komod që po zhvillohet ndaj Fatmir Mediut, për seanca të zvarritura, për kohë të pakufizuar në dispozicion për deklarime politike e pa një masë sigurie.
“Në shumë raste procesi është shtyrë për shkak të angazhimeve të tij politike jashtë vendit. Gjykata e ka trajtuar këtë situatë me një kujdes të veçantë ndaj të pandehurit, pa masa sigurie, me akomodim të vazhdueshëm të datave, kohëzgjatjes së seancave dhe kërkesave procedurale. Ky është një trajtim që i ngjan një procesi gjyqësor në një vend me standardet drejtësisë “norvegjeze”. Por ngjarja për të cilën bëhet fjalë nuk është aspak “norvegjeze”. Ajo është tragjedia e Gërdecit”, thuhet në deklaratë.
Thirrja e familjarëve të viktimave të Gërdecit është për shtyrjen përpara të këtij procesi gjyqësor kaq të domosdoshëm dhe njëkohësisht të vonuar. Sot u zhvilluan dhe homazhe për 26 personat që humbën jetën në fabrikën e vdekjes.
Gerlado Durda i thirrje drejtësisë për të shkuar deri te Shkëlzen Berisha, djali i ish-kryeministrit Berisha, rolii të cilit kurrë nuk është zbardhur në këtë çështje, ndonëse emri i tij del në tabulatet telefonike me ish-ministrin e mbrojtjes të asaj kohe, Fatmir Mediun. Për këtë të fundit, Durda thotë se është i vetmi që ka përfituar politikisht nga çështja e Gërdecit.
“Shpresoj të shkojë edhe te djali i ish-kryeministrit nëse ka qenë fajtor. I vetmi person që ka përfituar politikisht është Mediu, i cili me anë të Gërdecit bëhet pjesë e listave të mbyllura të PD, është fakt, janë vrarë 26 veta, janë shkatërruar 300 shtëpi, biznese, një fshat u hodh në erë dhe më flitet për politikë”, shprehet ai.
